Kosovë, ish-luftëtari i UÇK-së, Beg Rizaj varroset si dëshmor

24/05/2015 00:00

Mijëra qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit të dielën pasdite, ish-luftëtarit të UÇK-së, Beg Rizaj, i cili u varros në kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit.

Rizaj, i cili u vra në Kumanovë, u nderua nga ish-bashkëluftëtarët e tij të njësitit “Shqiponjat e zeza”, të cilët me uniforma të UÇK-së qëndruan gjatë gjithë kohës pranë trupit të pajetë të bashkëluftëtarit të tyre.

Arkivoli me trupin e Beg Rizajt ka qëndruar për tri orë në Pallatin e Kulturës në Deçan, ku për t’i dhënë lamtumirën e fundit ishin mbledhur mijëra qytetarë, ndërsa kishte edhe personazhe publike dhe përfaqësues partiakë.

Në nder të Beg Rizajt, pas homazheve, mbajtën fjalime kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, si dhe ish-luftëtarë dhe ish-komandantë të UÇK-së.

“Heroi Beg Rizaj ishte nga të parët djem të Dukagjinit, që nuk e konsideroi të përfunduar misionin e tij as me tri lufta çlirimtare; në Kosovë, në Kosovën Lindore, e në Maqedoni 15 vjet pas. Të bindur se statusi aktual i shqiptarëve në Maqedoni nuk ishte liria, për të cilën ata bënë luftën në 2001-shin, këta djem i dhanë vetes një mision të ri, të cilin me plot guxim e heroizëm e vulosën me jetën e tyre”, tha Rasim Selmanaj, kryetar i Deçanit.

“Sot nuk na ka hije të ligështohemi aq shumë, sa të mos gjykojmë se, ende nuk është kryer procesi historik i bashkimit kombëtar, që pas 100 vitesh e ka hapur lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka hapur lufta e UÇPMB-së në Kosovën Lindore, e ka hapur lufta e Ushtrisë Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninë e sotme”, tha Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve.

“Sa fisnik, aq edhe krenar erdha nga Ilirida jote, të cilën deshe edhe ta shohësh të bashkuar dhe të lirë. Rënia në altarin e lirisë është edhe një vepër madhështore e juaja, ku me jetën dhe shpirtin dëshmuat vlerën dhe kuptimin e plotë të fjalës liri. Rënia juaj është mësim për çdonjërin nga ne, që ta vazhdojmë rrugën e bashkimit kombëtar, si detyrim dhe amanet i shokëve të idealit, të cilët i donit më shumë se vetveten”, tha Daim Hyseni, përfaqësues i OVL-UÇK, Maqedoni.

E ndërkohë që Beg Rizaj është varrosur të dielën me kërkesë të familjes në Gllogjan, 8 bashkëluftëtarët e tij të vrarë ndodhen ende në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Drejtori i këtij departamenti, Arsim Gërxhaliu ka bërë të ditur se tanimë ka përfunduar autopsia për të gjithë të vrarët dhe pritet, që të martën 8 luftëtarët e tjerë të varrosen në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë.

Top Channel