Ligji i ri në Rusi, Putin ndëshkon OJF-të

24/05/2015 00:00

Organizatat joqeveritare që punojnë në Rusi papritur e kanë gjetur veten me një ligj të ri që tani e tutje do të veprojë mbi ta. Konkretisht qeveria do të ndjekë penalisht të gjithë subjektet, kryesisht ato të të huajve, që hetimi do t’i cilësojë si të padëshirueshme për Rusinë.

Përcaktimi “i padëshirueshëm”, mund të bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm i vendit apo zëvendësit e tij në konsultim me Ministrinë e Jashtme. Dhe ata që punojnë për organizatat në fjalë mund të dënohen minimalisht me gjashtë vjet burg.

Masa e re, e nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, ka provokuar një protestë ndërkombëtare. I pari qe reagoi ishte Departamenti Amerikan i Shtetit i cili tha se ishte “thellësisht i shqetësuar.” Ndërsa, Amnesty International tha se ky ligj ka kërcënuar “liritë themelore”.

Në fakt, ligji është miratuar pak ditë më parë nga të dyja dhomat e parlamentit rus. Ai thotë se një organizatë e huaj joqeveritare mund të njihet si e padëshirueshme në qoftë se ajo përbën një kërcënim për rendin kushtetues të Federatës Ruse ose për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

Mbështetësit e ligjit thanë se ishte e nevojshme për të ndaluar “organizatat destruktive” që kërcënojnë shtetin rus. Por, skeptikët e portretizuan atë si pjesë e masave që synojnë fshehjen e opozitës dhe kufizimin e lirisë në vend.

Top Channel