Kushtet e marrëveshjes, Tsipras përballet me radikalët brenda Syrizas

24/05/2015 00:00

“Të mos paguajmë detyrimet ndaj kreditorëve ne, se ata vazhdojnë politikën asfiksuese financaire”, ka qenë mesazhi kryesor i Komisionit Qendror të Radikalëve të Majtë që qeverisin Greqinë në një mbledhje të tensionuar të tyre orët e fundit.

Pas një jave të ngjeshur me takime e bisedime me udhëheqësit europianë për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë, kryeministri Aleksis Tsipras është përballur edhe me sfidat e frontit të brendshëm të partisë së tij.

Tsipras ka deklaruar se Greqia është në nivelin përfundimtar të negociatave dhe është e gatshme të pranojë një marrëveshje të qëndrueshme me kreditorët e saj, por jo në kushte poshtëruese.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, ne e kemi provuar se jemi të gatshëm për të bërë lëshime në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht. Por, ne kërkojmë edhe nga huadhënësit tanë lëshime dhe respektin përkatës”-, ka thënë Kryeministri Tsipras.

Presioni brenda partisë Syriza vjen nga anëtarët e platformës së majtë të radikalëve, që i kërkojnë kryeministrit të refuzojë çdo marrëveshje që bie ndesh me premtimet parazgjedhore të tyre. 

“Të mos paguajmë 1.6 mld eurot që i detyrohemi FMN-së në muajin qershor”-, ka kërkuar ministri i Energjisë Panajotis Lafazanis, që nuk ka ngurruar të kërkojë akoma dhe kthimin e Greqisë në monedhën kombëtare, dhrahmi.

Më herët të njëjtin mendim kanë pohuar edhe ministri i Brendshëm Nikos Voutsis në një stacion televiziv, por edhe Nikos Filis kreu i grupit parlamentar te Syrizes. Nga ana tjetër, ministri i Financave Yanis Sturnaras, ka paralajmëruar se dalja e Greqisë nga eurozona do të jetë një katastrofë e vërtetë.

“Do të ishte një fatkeqësi për të gjithë ata që do të perfshiheshin, por kryesisht do të ishte një katastrofë për ekonominë dhe shoqërinë, por ajo gjithashtu do të jetë fillimi i fundit i projektit të monedhës së përbashkët në Europë”-, ka deklaruar Sturnaras.

Sipas mediave vendase dhe të huaja nëse Greqia nuk merr urgjentisht ndihmë financiare nga partnerët e saj, në fillim të qershorit do të mund të shpallë pamundësinë e pagesës së detyrimeve të saj dhe parashikimet në këtë rast për zhvillimet e mëtejshme janë ogurzeza.

Top Channel