Roland Garros, Federer kritikon organizatorët e turneut pas një tjetër incidenti me fansat

25/05/2015 00:00

Roger Federer fitoi në vetëm 110 minuta lojë ndaj kolumbianit Alejandro Falla në raundin e parë të Roland Garros ditën e dielë. Tenisti nga Zvicra nuk pati probleme në takimin që përfundoi me rezultatin 6-3, 6-3 dhe 6-4, por problemet për të nisën pas takimit.

Federerit iu afrua një fans i ri në moshë për të bërë foto, ashtu siç i ka ndodhur të gjithë këto ditë edhe në terrenet stërvitore të turneut francez.

Shumë të rinj hyjnë në fushë për të bërë “selfie” me atë që është tenisti më i famshëm dhe i dashur në botë, por kjo gjë ka nisur ta bezdisë Federerin, i cili ka kritikuar organizatorët e Grand Slam-it. “Më duket se turneu nuk po reagon siç duhet ndaj këtyre episodeve”, tha Federer.

Ndërkohë, drejtori i turneut, Gilbert Ysern, kërkoi ndjesë: “Bëhet fjalë për një gabim profesional. Personeli i sigurisë nuk e ka bërë siç duhet punën. Të gjithë duan të bëjnë ‘selfie’ me lojtarët, por askush nuk duhet të hyjë në pistë”.

Top Channel