Ligji për OJQ-të, valë kritikash ndaj Putin

25/05/2015 00:00

Kritikët e kanë cilësuar si shembullin e radhës së “shtypjes së zërave të pavarur nga qeveria ruse”.

Ligji i ri për organizatat e huaja “të padëshiruara” në Rusi hasi menjëherë në një refuzim masiv ndërkombëtar, në krye të të cilit janë vendosur organizatat e të drejtave të njeriut, ndërsa Uashingtoni shprehet edhe ai “thellësisht i shqetësuar”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ky vendim çon në rritjen e kufizimeve për median e pavarur, për shoqërinë civile, për minoritetet dhe opozitën politike në Rusi.

Objektivi, në pohimin e saj, është izolimi i popullit rus nga pjesa tjetër e botës. Të menjëhershme kanë qenë edhe reagimet e Human Rights Watch dhe Amnesty International, të cilat e përshkruan masën ligjore si “sulm të rëndë ndaj lirisë së fjalës” në Rusi.

Ndonëse OSBE-ja i kishte kërkuar Putin bllokimin e kësaj nisme, shefi i Kremlinit bëri pikërisht të kundërtën, duke e vënë në fuqi rregulloren e re të diskutueshme.

Ligji në fjalë shënjestron  organizatat e huaja joqeveritare dhe kërcënon me gjoba ose dënime me deri në 6 vjet heqje lirie për qytetarët që përzihen me OJQ-të e shpallura “të padëshirueshme”.

Ai parashikon po ashtu mundësinë e bllokimit të plotë të aktivitetit dhe ndalimin e hyrjes së punonjësve të tyre në vend. Duma ruse ka miratuar që në 2012-n një ligj të diskutueshëm, përmes të cilit OJQ-të e financuara nga jashtë mund të shpallen “agjentë të huaj”.

Top Channel