“Vapë vrasëse” në Indi, të paktën 500 të vdekur

25/05/2015 00:00

Vala e të nxehtit dhe thatësirës, që ka përfshirë veriun e Indisë dhe juglindjen e saj, ka shkaktuar vdekjen e mbi 165 personave vetëm ditën e diel, duke e çuar në 500 totalin e viktimave.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja “Times of India”, sipas të cilës i nxehti, me temperaturat që arrijnë mbi 47 gradë, vazhdon të mbysë kryesisht shtetet jug-lindore Andhra Pradesh dhe Telangana, ku dhe janë regjistruar shumica e viktimave.

Por edhe në pjesë të tjera të Indisë, si për shembull në zonat veriore të saj, zhiva e mërkurit ka arritur rekorde të reja, kryesisht në Utar Pradesh dhe Orisa.

Meteorologët indianë parashikojnë tre ditë të tjera me mot të qëndrueshëm, pa ndonjë rënie të ndjeshme të temperaturave maksimale.

Probleme janë verifikuar edhe në kryeqytetin Nju Delhi, ku disa dhjetëra persona janë shtruar në spital si pasojë e shqetësimeve të shkaktuara nga i nxehti.

Sipas mjekëve, i nxehti ekstrem shkakton një “djegie të brendshme” të qelizave, gjë që shkakton fikjen e trurit.

Top Channel