Britani, kandilët gjigantë pushtojnë bregdetin e Dorsetit

25/05/2015 00:00

Pushuesit nuk janë të vetmit që këta muaj mbushin vijën bregdetare të Dorsetit në Britani. Në ujërat e saj janë diktuar, jo pa frikë, dhe një numër i madh kandilësh deti, dhe jo nga ata të zakonshmit.

Bëhet fjalë për kandilë gjigantë, pushtimi i paprecedentë i të cilëve mund t’i detyrohet peshkimit pa kufij. Pikërisht ky i fundit duket se ka lënë në det më pak nga predatorët që sulmojnë këto krijesa kur janë më të vegjël.

Nuk përjashtohet sidoqoftë mundësia që një numër rekord i përbindëshve, deri në 1 metër të gjatë, të kenë dimëruar në thellësitë e ujërave britanike.

Pavarësisht përmasave tmerruese, prekja e tyre nuk është e rrezikshme për njerëzit. Djegia i ngjan asaj të hithrave e mund të shkaktojë urtikarie.

Pamja për çdo rast nuk mund të të lërë indiferent, ndaj dhe ndjesia e parë e përjetuar nga pushuesit që i ndeshin është frikësimi. Ekspertët i këshillojnë edhe më kureshtarët të frenohen e më mirë të mos i prekin me dorë.

I ashtuquajturi kandil deti-fuçi, specia më e madhe e këtij lloji e gjendur në jug-perëndim të Anglisë, nuk është fare i pazakontë për këtë vend.

Por deri më tani, të tilla krijesa ishin parë më së shumti të ngordhura në breg dhe ka qenë mjaft e pazakontë që ato të haseshin në ujë.

Top Channel