Danielson: Të mos tërhiqet vëmendja nga serioziteti i krizës në Maqedoni

25/05/2015 00:00

Kristian Danielson, sekretar i përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një intervistë për rrjetin “European Western Balkans” ka shprehur shqetësimin për ngjarjet e fundit në Kumanovë, duke bërë thirrje që ky rast të hetohet në mënyrën e duhur dhe të mos shkaktohen tensione ndëretnike.

“Jam shumë i shqetësuar për atë që ndodhi në Kumanovë. BE dënoi çdo formë të dhunës dhe dëshiroj t’u shpreh ngushëllim të thellë familjeve të personave të cilët humbën jetën. Komisioneri Hahn tashmë u bëri thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë në zbardhjen e asaj që ndodhi, kush është përgjegjës dhe së bashku të punojnë në këtë çështje. Gjithashtu është me rëndësi që ky rast në mënyrë përkatëse të hetohet dhe të mos shkaktojë tensione ndëretnike”, ka pohuar  Danielson.

Danielson njëkohësisht ka kërkuar që të mos tërhiqet vëmendja nga serioziteti i krizës politike në Maqedoni.

“Partia në pushtet dhe ajo opozitare duhet të angazhohen në dialog politik konstruktiv, të ndihmuar nga tre anëtarët e Parlamentit Evropian. Të nënvizohen çështjet sistematike për sundimin e së drejtës, lirinë e mediave, zgjedhjet dhe të tjera, në çfarë theksoi edhe Komisioni Evropian në raport-progres. Patjetër duhet të ketë përgjegjësi politike që të kthehet besimi në institucionet”, ka thënë Danielson.

Të gjitha pohimet për parregullësi të mundshme potenciale, ka shtuar ai, duhet menjëherë dhe në mënyrë transparente të hetohen nga institucionet përkatëse.

Top Channel