Protestat në Shkup, kundërshtarët dhe mbështetësit e Gruevskit nuk dorëzohen as në shi

25/05/2015 00:00

Mbështetësit e opozitës që kanë ngritur tetë ditë më parë çadrat para godinës së qeverisë, janë të vendosur të qëndrojnë në rrugë deri në largimin e kryeministrit Nikolla Gruevski nga pushteti.

“Këtu jemi për të tetën ditë me radhë dhe nuk largohemi, derisa krimineli më i madh në këto hapësira të japë dorëheqjen”, thotë Bore Krstev, një nga protestuesit.

Protestuesit antiqeveritarë kanë qëndruar në tendat e tyre edhe përkundër reshjeve të një ditë më parë dhe nuk kanë ndërmend të largohen, edhe pas paralajmërimeve të sinoptikanëve për mot me shi edhe ditëve të vijim.

Disa prej demonstruesve kanë marrë pushim në punë për t’iu bashkangjitur protestave. Ata nuk besojnë në largimin e shpejtë të Gruevskit, por thonë se ikja e tij është e nevojshme për një të ardhme më të mirë për vendin.

“Gjithë bota flet për Maqedoninë. Emri i vendit tonë u dëgjua në botë për të keq. Nuk besoj që Gruevski do të largohet së shpejti, por mendoj që nuk ka zgjidhje tjetër”, thotë Snezhana Zaharieva, një tjetër protestuese.

Qindra metra larg protestave antiqeveritare, para ndërtesës së Parlamentit mbizotëron botë tjetër. Aty janë vendosur me tenda mbështetësit e pushtetit, të cilët shprehen të kënaqur nga politikat e kryeministrit Gruevski dhe kërkojnë prej tij të vazhdojë ta drejtojë qeverinë.

“Ka një javë që jemi këtu. Mbështesim mënyrën se si Gruevski e drejton Maqedoninë”, thotë një prej mbështetësve.

“Ndodhemi këtu për t’u dhënë përkrahje të gjitha reformave që ka ndërmarrë qeveria, duke përfshirë investimet e shumta dhe vende të reja të punës”, shprehet një tjetër mbështetës i Gruevskit.

Ndërsa protestuesit pro dhe kundër pushtetit vijojnë të qëndrojnë në rrugë, qëndrimet e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës Zoran Zaev nuk lënë shumë hapësirë për të shpresuar se zgjidhja e ngërçit politik do të ndodhë së shpejti.

Megjithatë, liderët e katër partive kryesore në Shkup, të martën do të ulen përsëri bashkërisht në tavolinë për të vijuar me negociatat rreth gjetjes së zgjidhjes për krizën politike.

Top Channel