Kosovë, tryezë mes OEAK dhe prodhuesve vendorë për sfidat dhe mundësitë

25/05/2015 00:00

Sfidat, me të cilat po përballen prodhuesit vendorë në Kosovë, mbeten tarifat e larta të energjisë elektrike, normat e larta të interesit bankar, taksat doganore dhe politikat fiskale.

Këto shqetësime, prodhuesit vendorë i shprehën të hënën, në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, në Prishtinë. Gjatë debatit me temë “Zhvillimi i sektorit të prodhimit – sfidat dhe mundësitë”, Arian Zeka, kryetar i OEAK, tha se është folur shumë për lehtësira fiskale, por deri tani prodhuesit vendorë nuk kanë parë asgjë konkrete.

“Është folur tashmë shumë gjatë, për më shumë se një vit, edhe në mënyrë më konkrete për prezantimin e lehtësirave fiskale, të cilat do t’i ndihmonin prodhuesit në vendin tonë, por që deri më tani nuk ka asgjë konkrete, nuk ka asnjë veprim, i cili të ketë hyrë në fuqi, e që natyrisht do të lehtësonte punën e sektorit të prodhimit”, tha Arian Zeka, kryetar i OEAK.

Sipas prodhuesve të vendit, ambienti i të bërit biznes në Kosovë në përgjithësi është i rëndë dhe politikat fiskale nuk aplikohen, edhe përkundër faktit që ligji ekziston.

“Në përgjithësi, politikat fiskale ose ligjet, që ndërlidhen me taksat, nuk janë të përpiluara në favor ose në interes të industrisë prodhuese. Në kohën kur janë miratuar ligjet, nuk është marrë parasysh kjo gjë. Në prill të vitit të kaluar është miratuar edhe ligji për pezullime doganore, por fatkeqësisht, në listën e pezullimeve të lëndës së parë, që përjashtohen nga taksa doganore, nuk janë përfshirë mbi 98% të prodhuesve. Fatkeqësisht, nuk e di nëse ai ligj është në fuqi apo jo, por nuk prek shumicën e prodhuesve vendorë ose shumicën e lëndëve të para, që shfrytëzohen drejtpërdrejt në prodhim”, tha Mërgim Prishtina, prodhues farmaceutik.

“Pengesa gjatë eksportit, siç janë mungesa e mbështetjes kreditore, tatimet doganore me vendet e tjera, marrëdhëniet tregtare me vendet fqinje, gjetja e partnerëve të jashtëm, shpenzimet e prodhimit, transporti , certifikatat fitosanitare, vonesat në kalimet doganore; krejt këto janë faktorë që e pengojnë prodhuesin për të eksportuar jashtë Kosovës. Importi i madh prej shteteve të tjera të rajonit e pengon shitjen e produkteve tona brenda, se ata kanë subvencione prej shtetit për eksport në Kosovë. Ndaj edhe ato na pengojnë shumë”, tha Lulzim Mustafa, prodhues i lëngjeve.

Tryeza me temë “Zhvillimi i sektorit të prodhimit – sfidat dhe mundësitë” ishte aktiviteti i radhës i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, që ka për qëllim përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Top Channel