Maradona sulmon Blatterin: Diktator i përjetshëm e mafioz; Platini e quan gënjeshtar  

25/05/2015 00:00

Sepp Blatter apo Princi Ali? Dy kandidatët e mbetur për presidencialet e FIFA-s do të kuptojnë fatin e tyre këtë javë, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 maj në Zyrih.

Pas shumë akuzave nga njerëz të futbollit, dhe jo vetëm, për presidentin aktual Blatter, që synon mandatin e 5-të radhazi, kundër zviceranit tani janë rreshtuar presidenti i UEFA-s, Michel Platini, dhe legjenda argjentinase, Maradona.

Francezi mendon se ka ardhur koha, që dikush tjetër të jetë në krye të organizatës më të madhe të futbollit në botë. “Pozicionimi im tashmë është i qartë, e kam thënë edhe më parë, që FIFA-s i duhet një udhëheqës i ri”, – është shprehur Platini.

Presidenti i UEFA-s e ka quajtur gënjeshtar Blatterin, për të cilin kishte lobuar vetë ai 4 vite më parë. “Jam i zhgënjyer nga ai, sepse i kam kërkuar federatave europiane që ta mbështesin, sepse do të ishte mandati i tij i fundit. Duke e njohur Princin Ali prej vitesh, besoj që do të ishte një president i mirë”, – ka vazhduar Platini.

Më i ashpër në deklarata ka qenë legjenda argjentinase, Maradona, që e ka quajtur Blatterin një diktator, mafioz dhe i korruptuar, që nuk ia dëshiron të mirën futbollit.

“Nën udhëheqjen e Blatterit, FIFA ka qenë vetëm një turp. Mandati i pestë? Kjo është e papranueshme. Do thotë që ne kemi një diktator në krye të FIFA-s. Ai bën favore, sikurse ata mafiozët, të cilët bëjnë të njëjtën gjë, për t’i shpëtuar burgut. Pse duam ta pranojmë këtë gjë, mjaft është mjaft”, – është shprehur Maradona.   

Blatter është udhëheqës i FIFA-s që nga viti 1998 dhe në zgjedhjet e fundit, ato të 2011-s, ishte shprehur se do ishte mandati i fundit për të, por zvicerani ndryshoi mendje dhe tani kërkon besimin për një tjetër mandat. Blatter gëzon mbështetje të madhe në Afrikë dhe Azi, e pritet që të rizgjidhet pa shumë problem në krye të FIFA-s.

Top Channel