Greqia, e vendosur për të paguar detyrimet, por nevojitet ndihmë urgjente

25/05/2015 00:00

Greqia ka për synim të bëjë më të mirën për detyrimet që ka lidhur me borxhet, por ka gjithashtu nevojë të menjëhershme për ndihma, për ta bërë diçka të tillë. Kështu ka bërë të ditur qeveria greke gjatë së hënës, pasi disa zyrtarë të lartë këmbëngulën se Athina nuk kishte më parà për të paguar këstin ndaj huadhënësve, të parashikuar për javën e ardhshme.

Teksa i janë mbyllur tregjet e bonove dhe me ngecjen e programit të shpëtimit, Greqia po shkon drejt mbetjes pa të holla “cash” për të paguar faturat e saj të detyrueshme. Vetëm brenda muajit qershor, Athina duhet t’i paguajë FMN-së 4 këste prej 1,6 miliardë eurosh në total, duke nisur që nga kësti prej 300 milionë eurosh më 5 qershor, i cili shihet si pika e ardhshme e ngërçit për arkën e shtetit.

Greqia ka aq parà, sa të bëjë shlyerjen mujore të pagave dhe pensioneve gjatë kësaj jave, – bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Sakellaridis, gjatë një konference për shtyp. Por, ai nuk ishte i drejtpërdrejtë kur u pyet lidhur me pagesën e këstit të 5 qershorit, duke theksuar edhe njëherë qëndrimin zyrtar të qeverisë se ka përgjegjshmërinë e plotë për të paguar të gjitha detyrimet.

“Duke parë problemet e likuiditetit me të cilat po përballemi, kemi një nevojë urgjente dhe të domosdoshme që ne dhe drejtuesit e Eurozonës të arrijmë në një marrëveshje sa më të shpejtë”, tha Sakellaridis. “Sa i përket faktit se deri në ç’pikë jemi në gjendje për të paguar detyrimet tona, mund të them se ne do t’i paguajmë ato. Është përgjegjësia e qeverisë të gjejë të gjitha mënyrat për ta bërë të mundur pagesën e detyrimeve tona”.

Një listë gjithnjë e në rritje e drejtuesve të lartë të qeverisë, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, kanë deklaruar hapur se Athina nuk ka mjetet e duhura për të paguar borxhet ndaj FMN-së dhe se do të prioritizojë pagesat ndaj punonjësve publikë dhe pensionistëve në vend të tyre.

“Nuk kemi parà, ndaj dhe nuk do të paguajmë gjë. Është shumë e thjeshtë”, është shprehur gjatë së hënës për një televizion grek, zv.ministri i Jashtëm, Nikos Chountis, i cili mban portofolin për marrëdhëniet me Europën.

Zyrtarët nga Athina kanë kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme për një faliment të mundshëm gjatë javëve të fundit, duke argumentuar se vendi nuk ka likuiditetin e mjaftueshëm; gjë të cilën zyrtarë të Eurozonës e kanë mohuar duke e quajtur një “taktikë negociimi” për të rritur presionin ndaj kreditorëve për të ofruar lëshime.

Duke shtuar presionin ndaj qeverisë, ligjvënësja opozitare Dora Bakoyiannis tha se vendi rrezikon të përballet me kontrollet e kapitalit për të frenuar rrjedhjen e depozitav, nëse nuk arrihet një marrëveshje për ndihmë nga qeveria përgjatë kësaj jave.

Sakellaridis mohoi të tilla “skenare për fundin e botës”, duke u shprehur se thjesht “nuk ka mundësi” të vendoset kontroll mbi kapitalin. Ai hodhi poshtë gjithashtu raportimet se qeveria do të përpiqet të paguajë të gjitha detyrimet e kësteve të qershorit me një veprim të vetëm ndaj FMN-së.

Top Channel