Jahjaga e Lumezi, në diplomimin e prokurorëve e gjyqtarëve të ardhshëm

25/05/2015 00:00

Deklarata të forta për krijimin e shtetit ligjor kanë dhënë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e ceremonisë së diplomimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Instituti Gjyqësor i Kosovës.

Presidentja Jahjaga kërkoi depolitizimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që – siç tha, – të mund të dëshmojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kosova nuk është një vend i ekstremizmave dhe krimit.

Kryetarja e shtetit iu drejtua njerëzve të drejtësisë me fjalët se, është një barrë e madhe që bie mbi të sapodiplomuarit, po aq sa edhe mbi të gjithë juristët që sot janë në detyrë, për të rikthyer besimin e lëkundur të qytetarëve mbi sistemin e drejtësisë dhe për t’i dhënë fund ciklit të grumbullimit të lëndëve të pashqyrtuara nëpër gjykata.

“Ju jeni sot në rrugën tuaj drejt misionit për të realizuar dhe ndarë drejtësinë. Kjo drejtësi, si sistem i rëndësishëm i vlerave shoqërore, kërkon sot një mbështetje nga ne. Por kjo, me kushtin që të kuptojmë rëndësinë, se rruga jonë drejt përparimit është e ndërvarur nga funksionimi i mirëfilltë i saj. Kur të kuptojmë se, proceset e filluara të shtetësisë sonë janë plotësisht të varura nga rezultati i saj dhe kur të kuptojmë se paanshmëria politike e saj është më shumë sesa e domosdoshme për të pasur efikasitetin e duhur. Prandaj, shteti i së drejtës nuk njeh hierarki dhe fuqi politike, sepse dora e ligjit është fuqia vetë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

I ashpër në fjalimin e tij ishte dhe kryeprokurorit i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai kërkoi të zhduken thashethemet – siç tha, – në ambientet shoqërore, se dikush burgoset me vite për grabitjen e një telefoni; ndërsa të tjerë, që mund të kenë bërë vepra kriminale, lëvizin të lirë. Ai theksoi nevojën për rritjen e numrit të prokurorëve.

“Sot në sistem kemi të angazhuar 139 prokurorë, ndër 171 pozicionet e lejuara. Në bazë të analizave, sistemit prokurorial i duhen së paku 210 vende për prokurorë, nëse synon përmbushjen e mandatit ligjor. Ndaj presim, që kjo të merret parasysh gjatë projektit të ardhshëm buxhetor. Në ngritjen e numrit të prokurorëve do të krijohen kushtet, që prokurori i Shtetit të fillojë të përmbushë më fuqishëm detyrën e tij, në luftimin e të këqijave, me të cilat përballet shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit, si: korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi; të këqija këto që rrezikojë paqen dhe sigurinë në vendin tonë”, tha kryeprokurori Lumezi.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar. Edhe këtë herë, Zhbogar theksoi se Bashkimi Europian mbështet sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Top Channel