Kosovë, pakoja ligjore për drejtësinë, të enjten në Kuvend. Kriter për liberalizimin e vizave

25/05/2015 00:00

Në kuadër të votimit për pakon ligjore për sistemin e drejtësisë, Komisioni parlamentar për Legjislacion do t’i propozojë Kuvendit të Kosovës, të ndalojë praktikën e deritanishme, që gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë të punojnë edhe si profesorë universitetesh.

Kryetarja e Komisionit parlamentar nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu kritikoi Ministrinë e Dretjësisë, duke thënë se ka sjellë në Kuvend propozime të natyres teknike, të cilat nuk kanë adresuar problemet e mekanizmave të drejtësisë.

“Komisioni, për aq sa ka pasur mundësi, është munduar të fokusohet në çështje tepër të rëndësishme. Së pari, me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial dhe, së dyti, me veprimtarinë profesionale. Sipas propozimeve tona, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të jenë më ligjërues në universitete brenda orarit të punës. Sot jemi dëshmitarë se gjyqtarët, përveç se të tillë, kanë edhe disa vende pune të tjera”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion.

Haxhiu kritikoi qeverinë edhe për faktin se ka shkelur afatet ligjore në dorëzimin e këtyre projektligjeve. Sipas saj, deputetët janë të detyruar, që ligjet e rëndësishme t’i procedojnë në mënyrë të përshpejtuar.

Pakoja ligjore për sistemin e drejtësisë përfshin ligje që rregullojnë Këshillin Gjyqësor, atë Prokurorial, gjykatat, mbrojtjen e viktimave të krimit dhe prokurorin e Shtetit. Miratimi i këtyre ligjeve pritet të bëhet të enjten, në seancën e radhës, ndërkohë që vlerësohet si e rëndësisë së veçantë, sepse bën pjesë në kriteret, që Kosova duhet të plotësojë për liberalizimin e vizave.

Top Channel