Torgen Dhamo, 27-vjeçari me pasion tezgjahun

25/05/2015 00:00

Punimet e dorës dhe artizanatin e endjes, gjithmonë e lidhim me gratë dhe vajzat. Por Torgeni është një përjashtim nga ky rast. Një 27-vjeçar, i cili në ditët e sotme ka mundësi të shumta zgjedhjeje për një zanat, por ai vendosi të bëhet endës në tezgjah.

“Fillimisht ia kërkoja unë, sepse doja të ngrija një tezgjah. Pastaj atij i hyri në qejf”, thotë e ëma.

Meqenëse Luljeta, nëna e Torgenit ishte në kërkim të një mundësie për vetëpunësim, ia doli të ndërtojë diçka jo vetëm për veten, por edhe për të birin, i cili tashmë ka seriozisht me çfarë të merret.

“Nuk mërzitem, sepse është një punë shumë krijuese. Çdo herë me motive të reja, modele të reja”, thotë Torgeni.

Duke parë teknikën përsosmërisht të përvetësuar prej tij, po ashtu edhe nxjerrjen e modeleve dhe ngjyrave, të duket gati e pamundur të besosh se, Torgeni ka vetëm një vit e gjysmë që e bën këtë punë.

“E punon më mirë se unë tani, se është i ri dhe ka durim. Ngjyrat i kombinon bukur, modelet i bisedojmë, por edhe nga interneti”, thotë më tej e ëma.

Pasioni e ka edhe një çmim. Tashmë, që e ka marrë përsipër këtë punë, djali duhet t’u qëndrojë në këmbë kërkesave dhe porosive të klientëve.

“Kur kemi kërkesa, edhe 12 orë punojmë”, thotë Luljeta.

Për habi, i riu e ka gjetur veten shpejt dhe komod në një punë, që rrallëkush nga gjinia e tij do të merrte përsipër ta bënte.

“Nuk kam pasur asnjë lloj paragjykimi, sepse edhe inxhinierët që kanë shpikur thurrje të ndryshme, kanë qenë burra”, thotë Torgeni.

Mund të kishte ndodhur e kundërta, por miqtë e Torgenit janë vënë në radhë për të mësuar zanatin, që ai e mësoi prej së ëmës.

“Kjo është një punë e qëndrueshme dhe e miratojnë. Disa kanë shprehur dëshirën për të ardhur, mirëpo kur të shtohet vëllimi i punës do t’i marr”, thotë Torgeni.

Dhe jo më kot ata tërhiqen nga kjo mundësi, pasi Torgeni, me plot fjalën është bërë mjeshtër i endjes së qilimave.

“Është shumë i zoti, sepse është punë e vështirë. Nuk gabon dhe mund të punojë me 30 ngjyra njëherësh”, tregon e ëma.

Top Channel