Alma, vajza që koleksionon sende artizanale

25/05/2015 00:00

Shpesh priremi të kemi veshje, sende dhe aksesorë të modës, që na rrinë mirë dhe dukemi bukur me to.

Por për Almën, këto kritere nuk janë fare të rëndësishme. E dashuruar dhe e lidhur fort me traditën shqiptare të artizanatit, ajo kërkon të bartë me vete sadopak vlerat e çdo treve.

Ndaj, në pajimet e saj të përditshme dhe jo vetëm, pjesë e veshjeve dhe aksesorëve janë edhe sendet e punuara me dorë. Disa janë të ditëve të sotme, e disa të tjera shumë të hershme.

Për të, këto veshje janë pasuri e paçmuar që, përpos traditës, ajo u bart me vete edhe historinë. Në fakt, për të nuk ka vlerë ajo që vesh, nëse nuk ia njeh origjinën që në qelizë punimit. Më së shumti është historia, ajo që e lidh me sendet.

Edhe pse disa veshje janë të vjetra dhe nuk lidhen me tendencën e sotme, Alma e gjen një mënyrë për t’i ndërthurur me veshjen e saj. Shpeshherë, këto e shoqërojnë edhe në evenimente e mbrëmje të rëndësishme.

Përmes pasionit të saj, Alma ka gjetur një mënyrë për të mbajtur gjallë traditën, por edhe historinë e çdo objekti, që ajo zgjedh të zotërojë.

Top Channel