“Shpejtësi dhe çmenduri”, pasioni që “djeg” edhe shqiptarët

25/05/2015 00:00

Në të tretin vit radhazi, kampionati i “Go Kart” mirëpret garues nga e gjithë Shqipëria, për të përcaktuar më të mirët e kategorisë amatore.

Risi e këtij viti është se, garave u janë shtuar vajzat. Xhoi, Kriselda, Elena, Arisa dhe Eniada janë disa nga të rejat, që nuk kanë pasur asnjë kompleks të marrin pjesë.

Jemi mësuar zakonisht me vajzat, që kanë pasion veshjet apo “look”-un, ndërsa 5 adhurueset e shpejtësisë shohin një tjetër drejtim. Kapin flokët, vendosin kokoren dhe janë gati për të dalë në pistë.

Sfidojnë të gjithë ata, që thonë se meshkujt janë më të mirë në timon, duke treguar në disa raste të kundërtën. Ato kanë garuar për gjysmëfinalen, ndërsa gara do të jetë më e fortë në finalen e 7 qershorit, ku do të jepen edhe kupat.

Nuk tremben aspak, nga fakti që kampionati ka edhe garues meshkuj me përvojë në këtë disiplinë, përkundrazi, mendojnë se pasioni për shpejtësinë, situata është e njëjtë për të dyja gjinitë.

Kampionati ka nisur në janar. Që nga fillimi i vitit, çdo dy javë garuesit sfidojnë njëri-tjetrin, për të arritur në garën finale të qershorit. Kush do të jetë fituesi i vendit të parë? Një djalë apo një vajzë? Duhet të presim finalen ta mësojmë…

Top Channel