Ish-diplomatja DiCarlo: Kosova të mbyllë kapitullin e luftës së ’99-s

25/05/2015 00:00

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, ka theksuar se deklaratat e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, lidhur me “Shqipërinë e Madhe” janë të pabaza, sepse sipas saj një gjë e tillë, një ide e tillë nuk ekziston.

Në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini, Rosemary DiCarlo ka thënë se shumë shpejt do të sqarohet ajo çfarë ndodhi në Kumanovë, dhe se rajoni do të jetë më i qetë.

Ndërkohë, duke folur për komentet e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili gjatë vizitës në Beograd tha se “Shqipëria e Madhe” është një thirrje provokuese dhe nxit gjakderdhje në rajon, DiCarlo thekson se “Shqipëria e Madhe” është vetëm një mit, që nuk ekziston fare.

Nga ana tjetër, ajo ka vlerësuar në shtypin kosovar se, është tejet e rëndësishme, që Kosova ka vendosur themelimin e Gjykatës Speciale, meqë duhet mbyllur njëherë e mirë kapitulli i luftës së vitit 1999.

DiCarlo po qëndron në Pejë për të marrë pjesë në një shkollë për diplomatët e rinj.

Top Channel