Vuçiç në Tiranë, shpresë në Preshevë; banorët presin qasje të re nga Serbia

26/05/2015 00:00

Lugina e Preshevës vizitën e kryeministrit serb në Tiranë e sheh si mundësi. Ata shpresojnë se kryeministri Edi Rama do t’i thotë disa fjalë edhe për ta dhe këto takime do të shënojnë një fillim të ri.

Nuk shohin gatishmëri të madhe për zgjidhjen e problemeve, por shpresojnë tek një qasje e re.

“Besoj se kryeministri shqiptar do të jetë konseguent në qëndrimet e veta. Ato që tha në Luginën e Preshevës, se të drejtat e shqiptarëve duhet të respektohen me standardet më të larta evropiane, atë që e kërkojnë në formë reciprociteti me të drejat e serbëve në Kosovë, t’ia bëjë me dije kryeministri serb dhe në Tiranë. Normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve, patjetër që do të ketë si urë dhe pozitën e shqiptarëve të Lugëinës së Preshevës në këtë rajon”, thotë Shaip Kamberi, Deputet i Kuvendit të Serbisë.

“Serbia shihet qartë që nuk ka patur interesim që së paku të ulet me liderët shqiptarë dhe të kërkohet në mënyrë objektive zgjidhja e problemeve të shqiptarëve. Doemos duhen zgjidhur problemet e shqiptarëve, përndryshe do të ketë telashe dhe në Luginën e Preshevës”, thotë Jonuz Musliu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Edhe qytetarët janë të interesuar të degjojnë porosi të kujdesit për të drejtat e tyre.

“Çka të them, besoj që do të ketë marrëdhënie më të mira mes dy shteteve, dhe të ketë një bisedë më të vlefshme për pjesën tonë këtej, të ketë ndonjë marrëveshje me konkrete”, thotë një qytetar i Luginës së Preshevës.

“Vizita që do të bëhet në Republikën e Shqipërisë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe të Serbisë, shpresoj që do ta ketë takim të qetë mes dy palëve dhe do të preket dhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Besoj që do të bëjë presion dhe do të ketë ndikim kryeministri Rama dhe mbetet për tu parë. Këtë na tregoi dhe kur ishte në Preshevë”, shprehet një tjetër.

Trevat me popullsi shqiptare në jug të Serbisë ende nuk i ka vizituar asnjë zyrtarë i lartë i Serbisë, pavarësisht kërkesave për dialog.

Top Channel