Ligji antiduhan triumfon, shëndetësia bën bilancin

26/05/2015 00:00

Kur ka mbetur dhe pak kohë nga Dita Botërore e luftës kundër duhanit Shqipëria për herë të parë ia ka dalë të respektojë ligjin antiduhan në ambiente të mbyllura.

“Kemi arritur një rezultat pozitiv, të cilin do ta mbajmë së bashku të gjithë duke u angazhuar. Falë programit të punës së hartuar nga ne, falë denoncimeve të ardhura nga shoqëria civile, dhe faqes së antikorrupsionit, kemi mundur që të vendosim masa administrative, rreth 283 masa. Unë u garantoj se si Ispektorat Shtetëror Shëndetësor do ta vazhdojmë këtë seriozitet me shumë profesionalizëm dhe qytetari në mënyrë të tillë që të rrisim një shoqëri të shëndetshme. Një shoqëri e cila nuk i drejtohet lokaleve dhe kafeneve për të konsumuar duhan, po një shoqëri që i drejtohet shkollës, sportit, arsimit”, thotë Eltar Deda, kryeinspektor i ISSH.

Gjobat e vendosura gjatë këtij viti arrijnë në rreth 300 mijë dollarë. Ndërkohë që ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vlerësoi misionin e Inspektoratit për zbatimin e këtij ligji.

“Ne ia kemi dalë të jemi relativisht efikas në të gjithë territorin e Shqipërisë,. Ka qenë një nga proceset e inspektimeve më efiaks dhe me më pak zhurmë, përfolje. Do të thotë që unë besoj që Inspekorati ia ka dalë të realizojë atë që ne kishim droje në fillim se mos ndoshta inspektimi nuk ishte uniform, dhe mund të kthehej në element antikonkurrence apo përdorimi për qëllime të ndryshme. Kjo punë e madhe e shoqëruar jo me zhurmë negative do të thotë që Inspektorati ka qenë efikas dhe ka mundur të ruajë figurën e pastër të zyrtarit të shtetit”, thotë Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.

Motoja e OBSH për këtë vit është ndalimi i tregtimit të jashtëligjshëm të duhanit. Në vendet e BE gati 7 % e duhanit që konsumohet, tregtohet ilegalisht. Shqipëria e ka firmosur Konventën e OBSH që në vitin 2006 dhe arritjet e këtij viti në luftën kundër duhanit u vlerësuan dhe nga ky organizëm ndërkombëtar.

“Dua të përgëzoj Ministrinë e Shëndetësisë, e cila me vullnet i ka hyrë masave komplekse dhe të shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e OBSH-së për të qenë pranë MSH në thellimin e masave”, thotë Ledia Lazri.

Duhanpirja është një nga tre shkaktarët e dëmtimit të shëndetit të shqiptarëve, 1 në 5 vdekje parakohe shkaktohen nga duhani dhe se 1 në 10 sëmundje të rënda kanë shkak po duhanpirjen.

Top Channel