Isa Boletini do të prehet në vendlindje. Rrugëtimi nis nga Vlora, në Prizren, Prishtinë dhe Boletin

26/05/2015 00:00

Heroi kombëtar Isa Boletini, përfundimisht do të varroset në vendlindjen e tij, në Boletin të Mitrovicës së Veriut.

Këshilli organizativ për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit ka hedhur poshtë vendimin e fundit, që Boletini të varrosej pranë Ismail Qemalit në Vlorë.

Zëdhënësi i këtij këshilli, Ibrahim Shala tha se ceremonia do të mbahet më 10 qershor.

“Këshilli organizativ vlerësoi vullnetin e familjes dhe mori vendimin e ri, që rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, të mbahet në Boletin”, tha Ibrahim Shala, zëdhënës i Këshillit organizativ.

Shala tha më tej se, me vendimin e ri do të njoftohet edhe qeveria e Shqipërisë.

“Unë kam bindjen e thellë se, edhe qeveria e Shqipërisë, ashtu sikurse qeveria e Kosovës, janë dakord për të përkrahur vullnetin e familjes, që varrimi të bëhet në Boletin”, tha zëdhënësi i këshillit, Ibrahim Shala.

Rrugëtimi i eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, do të fillojnë nga qyteti i Vlorës më 8 qershor, e në të njëjtën ditë eshtrat do të nisen drejt Prizrenit, ku do të qëndrojnë në Lidhjen Shqiptare, për të vazhduar pastaj në Prekaz të Skënderajt, e më pas edhe në Prishtinë.

Ndërsa ceremonia qendrore do të mbahet në stadiumin e qytetit, në Mitrovicë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të mund ta shoqërojë ceremoninë deri në kullën e Isa Boletinit.

Zëdhënësi i Këshillit organizativ tha se garda ceremoniale e FSK-së do t’i shoqërojë aktivitetet deri në stadiumin e qytetit, në Mitrovicë, ndërsa nga aty e deri në Boletin, që ndodhet në veri të Kosovës, eshtrat e heroit do të shoqërohen nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Top Channel