Kosovë, FMN përgatit një program të ri me qeverinë e Prishtinës

26/05/2015 00:00

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka takuar të martën zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Min Zhu.

Në këtë takim u bë e ditur se, ekipi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar do të fillojë negociatat për një program të ri mes Kosovës dhe FMN-së.

Ky program rrit besueshmërinë e partnerëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj qeverisë së Kosovës dhe mundëson hyrjen në kredi afatgjata, me kushte shumë të volitshme, për të financuar projektet e qeverisë së Kosovës.

Kjo është edhe vizita e nivelit më të lartë nga FMN-ja, në Kosovë.

Ministri Hoti falënderoi Min Zhu për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe e informoi atë për planin zhvillimor të qeverisë së Kosovës, ku sipas tij parashihen një sërë masash, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe financiar të Kosovës. Ai, me këtë rast, konfirmoi gjithashtu edhe njëherë përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.

Ndërsa zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Min Zhu, e vlerësoi lart përkushtimin e qeverisë së Kosovës dhe progresin e bërë në Kosovë deri më tani, gjithashtu bëri të ditur se vizita e tij në Kosovë tregon përkushtimin e FMN-së për zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel