Pa zgjidhje edhe takimi i tretë. Gruevski e Zaev njoftuan Ahmetin e Thaçin për takimin e Strasburgut

26/05/2015 00:00

Udhëheqësit e 4 partive kryesore në Shkup nuk japin detaje për rrjedhën e bisedimeve, që po zhvillojnë në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës politike. Siç bëhet e ditur zyrtarisht, bisedimet midis tyre do të vazhdojnë javën e ardhshme, pasi as në takimin e tyre të tretë nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për zgjidhjen e ngërçit politik.

“Ende po bisedohet për kornizën, për formatin, për shumë detaje. Në tavolinë po paraqesim edhe temat, por ende nuk kemi hyrë në detaje dhe nuk mund të themi se ka filluar procesi i negociatave”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në takimin e së martës, udhëheqësit shqiptarë; Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së; janë informuar për takimin që u zhvillua në Strasburg ditë më parë, mes kryeministrit Nikola Gruevski dhe udhëheqësit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

“Në takimin e sotëm, udhëheqësit e BDI-së dhe PDSH-së u informuan për bisedimet në Strasburg. Momentalisht nuk mund të zbuloj më tepër detaje dhe informacione për takimin”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare, në opozitë, Luan Tresi bëri të ditur se dialogu për çështjet thelbësore pritet të hapet në takimin e radhës.

“4 udhëheqësit ranë dakord që bisedimet të vazhdojnë javën tjetër, kur pritet që negociatat të hyjnë në fazën më thelbësore”, tha Luan Tresi, zëdhënësi i PDSH-së.

Edhe takimi i tretë midis udhëheqësve politikë në Shkup u zhvillua me prezencën e ambasadorit amerikan në Maqedoni, Jess Baily, dhe atij të BE-së, Aivo Orav.

Top Channel