Merkel-Hollande, “shuplakë” shpresave të Cameron për referendumin dhe BE-në

26/05/2015 00:00

Gjermania dhe Franca kanë hartuar një pakt të përbashkët për të integruar Eurozonën pa rihapur traktatet e BE-së, duke i dhënë kështu një goditje fushatës së David Cameron për një referendum.

Duke anashkaluar kërkesat e Britanisë për të rinegociuar traktatin e Lisbonës dhe vendin e Britanisë në BE, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti francez, Francois Hollande, kanë arritur një marrëveshje me synimin për t’i dhënë një formë të re bashkëkohore bashkimit më të fortë politik mes vendeve që përdorin monedhën Euro, ndërkohë që operojnë brenda kufijve të traktateve ekzistuese.

Propozimet franko-gjermane priten të diskutohen në një samit të BE-së të muajit të ardhshëm në Bruksel, ku Cameron pritet të shpalosë gjithashtu listën e tij të gjatë të ndryshimeve të nevojshme, nëse ai do të duhet të fitojë mbështetje për të mbajtur Britaninë e Madhe brenda Bashkimit Europian.

Akordi franko-gjerman, i zbuluar nga gazeta franceze “Le Monde”, bën thirrje për reforma në Eurozonë në katër fusha të ndryshme, “të zhvilluara në kuadrin e traktateve aktuale, e që do të ndërmerren gjatë viteve të ardhshme”.

Cameron ka bërë thirrje të vazhdueshme për të rihapur dhe rishqyrtuar traktatet, në mënyrë që t’i bëhet e mundur Eurozonës të integrohet më shumë, ndërkohë që do t’i jepej britanikëve një mundësi për të rihartuar marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, si dhe për të “grabitur” disa fuqi nga Brukseli.

Vendet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të lartë nga Brukseli kanë shprehur vazhdimisht ngurrimin e tyre për të rishikuar traktatin e Lisbonës, i cili është edhe dokumenti themelor konstitucional i BE-së. Nisma franko-gjermane, e cila pritet të miratohet në samitin e 25 qershorit, do t’i mbyllte përfundimisht dyert një rinegociimi të këtij traktati.

Lëvizja nga Berlini dhe Parisi vjen në një kohë kur kryeministri britanik ishte përgatitur për të hapur negociatat e tij me francezët dhe gjermanët, respektivisht të enjten dhe të premten.

Cameron përballet kështu me një javë tepër të ngjeshur për fushatën e referendumit. Të hënën në mbrëmje, ai priti presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, duke nisur kështu një seri takimesh me 5 udhëheqës europianë.

“Kryeministri nënvizoi faktin se britanikët nuk janë të kënaqur me ‘status quo’-në aktuale dhe besojnë se BE-ja ka nevojë të ndryshojë, në mënyrë që të adresojë më mirë shqetësimet e tyre”, tha zëdhënësi i “Downing Street”. “Ndërsa Juncker përsëriti faktin se dëshironte të arrinte një marrëveshje të drejtë për Britaninë, dhe se do të përpiqej të ndihmonte me sa të mundej”.

Të enjten, një ditë pas hapjes shtetërore të Parlamentit britanik, Cameron do të udhëtojë drejt Europës për t’u takuar me kryeministren daneze, Helle Thorning-Schmidt, në Kopenhagen; kryeministrin holandez, Mark Rutte, në Hagë; si dhe Francois Hollande në Paris. Ditën pasardhëse, ai do të takohet me kryeministren polake, Ewa Kopacz, në Varshavë, përpara se të mbërrijë në Berlin për t’u takuar me Merkelin.

Top Channel