“Amnesty”: Hamas ka kryer krime lufte ndaj civilëve në Gaza

27/05/2015 00:00

Në një raport të publikuar këtë të mërkurë, “Amnesty International” ka bërë të ditur se lëvizja islamike e Hamasit ka kryer krime lufte kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit të kaluar me Izraelin.

Një armëpushim i ndërmjetësuar i dha fund luftës 50-ditore mes militantëve në Gaza dhe Izraelit, gjatë së cilës sipas zyrtarëve të shëndetësisë mbetën të vrarë mbi 2100 palestinezë, shumica e të cilëve civilë, si dhe 67 ushtarë izraelitë e 6 civilë nga territori hebre.

“Forcat e Hamasit kanë ndërmarrë një fushatë brutale rrëmbimesh, torturash dhe vrasjesh të paligjshme ndaj palestinezëve të akuzuar si ‘bashkëpunues’ me Izraelin dhe palëve të tjera, gjatë ofensivës ushtarake të Izraelit kundër Gazës”, thuhet në raportin e grupit të të drejtave të njeriut.

Një zëdhënës i Hamasit kritikoi raportin, duke e quajtur atë të padrejtë, aspak profesional dhe të pabesueshëm.

“Raporti drejtohet kundër rezistencës palestineze dhe lëvizjes së Hamasit. Ai i ekzagjeron qëllimisht përshkrimet e tij, pa dëgjuar të gjitha palët dhe pa bërë një përpjekje për t’i verifikuar në terren vërtetësinë e detajeve apo informacioneve”, tha Fawzi Barhoum, një zëdhënës i Hamasit.

Në një raport të kaluar, të publikuar gjatë marsit, “Amnesty International” kishte kritikuar gjithashtu Izraelin, madje e akuzonte edhe për krime lufte gjatë të njëjtit konflikt. Veç viktimave, të paktën 16 mijë e 245 shtëpi u shkatërruan apo u bënë të pabanueshme. Ndërkohë, militantët nga Gaza lëshuan raketa dhe murtaja drejt Izraelit.

Top Channel