Sami Lushtaku shpallet fajtor, dënohet me 12 vite burg

27/05/2015 00:00

Sot, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dënoi për krime lufte ish komandantët e UÇK-së për rajonin e Drenicës: me 12 vjet burg Sami Lushtakun dhe 16 gjithsej për dy cështjet  “Drenica”, Sylejman Selimin.

Aktakuza pretendonte ekzistencën  e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc ku pretendohet më tej se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykatësit vendosën se Sami Lushtaku (ish komandant i UÇK dhe sot kryetar i komunës së Skënderajt) është “Fajtor” për veprën penale Vrasje dhe u dënua 12 vjet burgim. Të gjithë të pandehurit tjerë u liruan nga akuzat, pasi pretendimet kundër tyre nuk janë vërtetuar në rastin Drenica 1.

Ndërsa pak orë më vonë u dënuan të  gjithe te akuzuarit e rastit Drenica 2 per vepra penale te krimeve te luftes te kryera gjate luftes ne Kosove. Sylejman Selimi 8 vjet, Jahir Demaku 7 vjet, Zeqir Demaku 7 vjet, Isni Thaci 7 vjet, Fadil Demaku 3 vjet, Nexhat Demaku 3 vjet, Agim Demaj 3 vjet, Bashkim Demaj 3 vjet, Driton Demaj 3 vjet, Selman Demaj 3 vjet.

Menjëherë pas shqiptimit të dënimit, trupi gjykues urdhëroi që Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe disa nga të dënuarit e tjerë të arrestohen dhe të dërgohen në paraburgim.  

Por, ndërsa prokurorët e EULEX-it e mirëpritën vendimin e gjykatës, avokatët reaguan ashpër dhe kanë paralajmëruar apelim në instanca më të larta të drejtësisë.

“Ju ishit të gjithë në seancë dhe e dëgjuat se çfarë u tha. Ne do ta apelojmë vendimin dhe pozicioni ynë mbetet i njëjtë me atë gjatë gjykimit: dëshmitë dhe provat e dëshmitarit “A” nuk janë të besueshme”, deklaroi Gregor Guy Smith, avokat i Sylejman Selimit.

“Është tepër e vështirë të besosh se gjyqtarët ndërkombëtarë marrin vendime të drejta në raport me komandantët e UÇK-së, kur në bazë të një personi të sëmurë psikik dënojnë më tepër se gjysmë shekulli burg të tjerët, kur thuajse të gjithë i dërgojnë në paraburgim dhe kur dikë të akuzuar për dënime trupore tejet të lehta e dënojnë më tepër se për një vrasje. Ky është një diskriminim dhe një porosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës mos ta votojnë Gjykatën Speciale në votimin e së premtes, meqenëse ata që do të shkojnë në atë gjykatë do t’i presë një vendim i tillë si ky i sotmi, i cili është i padrejtë, i palogjikshëm dhe është gjithçka përveç drejtësisë”, tha avokati tjetër i të pandehurit, Tomë Gashi.

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe Arianit Koçi, avokat i Sami Lushtakut: “Besoj se kjo padrejtësi do të korrigjohet në shkallën e dytë. Zoti Lushtaku është dënuar sipas dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka pasur diskrepancë në dëshmi dhe këtë e pranon edhe gjykata. Prandaj, unë mendoj se kam bazë të mirë për ushtrimin e ankesës”, tha ai.

Përderisa shumica e bashkëluftëtarëve të tyre u dënuan, Sabit Geci, Avni Zabeli, Ismet Haxha, Sahit Jashari dhe Jahir Demaku u shpallën të pafajshëm për të gjitha aktakuzat ndaj tyre, pasi sipas trupit gjykues, pretendimet kundër tyre nuk janë vërtetuar.

Top Channel