Kosovë, transformimi i FSK në FAK, gati për procedim në Kuvend

27/05/2015 00:00

Pas më shumë se një viti, që kur është paralajmëruar krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, qeveria e Kosovës procedoi në mbledhjen e së mërkurës propozimet për ndryshimet kushteuetse, në mënyrë që misioni i FSK-së të ndryshohet.

Ashtu siç pritej, anëtarët serbë të kabinetit qeveritar të Kosovës votuan kundër, me arsyetimin se nuk ka pasur dialog gjithëpërfshirës për temën. Ende nuk është konfirmuar nga autoritetet nëse projektligji për Forcat e Armatosura të Kosovës do të votohen në seancën e së premtes, kur pritet të votohet edhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Ne nuk po ndërtojmë Forca të Armatosura mbi baza etnike shqiptare, as mbi baza etnike të etnive të tjera, për të cilat ka pasur trumpetime mjaft të mëdha në opinionin publik. Është një forcë unike, në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që përfshijnë gjithë përfaqësuesit e njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Kemi pritur, që të kemi një dialog më të gjerë mbi këtë temë. Dialog për këtë nuk ka pasur, por shpresoj që do të ketë. Sa i përket pranisë sonë në mbledhjen e Kuvendit, besoj se do të bisedojmë për këtë çështje më gjerësisht”, tha Branimir Stojanoviç, zëvendëskryeministër i Kosovës, nga “Lista Serbe”.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, i cili paraqiti amendamentet për ndryshimet kushtetuese, tha se konkretisht do të ndryshohet neni 126 i Kushtetutës. Sipas ministrit të FSK-së, është ky amendamenti thelbësor që transformon FSK-në në Forca të Armatosura, dhe që përcakton misionin e ri kushtetues, për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Top Channel