Shpërndarja e azilkërkuesve në BE, Britania refuzon. Kundër edhe të tjerë

27/05/2015 00:00

40 mijë azilkërkues do të shpërndahen në vendet anëtare të BE-së përmes sistemit të kuotave, detajet e të cilit Komisioni Europian pritet t’i bëjë publike gjatë ditës.

Planet e shpërndarjes së mijëra emigrantëve të mbërritur në Europën Jugore nga Afrika dhe Lindja e Mesme nuk kaluan pa ngjallur polemika. Qeveria britanike e ka bërë të qartë zgjedhjen e saj, për të qëndruar jashtë skemës. Shqetësime kanë ngritur edhe Franca, Spanja, Hungaria, Sllovakia dhe Estonia.

Nisma e kuotave i shtohet masave të njoftuara më herët, gjatë këtij muaji, nga blloku europian për një skemë vullnetare sistemimi të 20 mijë personave, që u largohen luftrave e që aktualisht jetojnë jashtë BE-së.

Mbi 1800 klandestinë kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut këtë vit, 20 herë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shumë prej refugjatëve janë aq të dëshpëruar t’i largohen konflikteve apo skamjes në vende si Siria, Eritrea, Nigeria e Somalia, saqë janë të gatshem t’i hyjnë një udhëtimi, nga i cili nuk kanë asnjë garanci se do të dalin të gjallë.

13 nga ata, që mund ta konsiderojnë veten me fat, mbërriten të martën në brigjet e Spanjës Jugore, përpara syve të çuditura të pushuesve në plazhin “Zahara de los Atunes”, pranë Kadizit. Vendasit lajmëruan forcat e rendit dhe Kryqin e Kuq, kur panë gomonen t’i afrohej bregut.

Më 18 maj, Bashkimi Evropian ra dakord për organizimin e një operacioni ushtarak detar, të quajtur “Eunavfor Med”, objektivi i të cilit është shkatërrimi i rrjeteve kriminale të trafikantëve të njerëzve në Mesdhe.

Zyra e shtypit e BE-së lëshoi në atë rast një deklaratë, ku thuhej se ky vendim, i cili është një nga elementët e reagimit gjithëpërfshirës të bllokut ndaj sfidës së emigracionit, do të mundësojë fillimin e punës mbi një plan operacional detar për frenimin e fluksit të emigrantëve në kontinentin e vjetër.

Top Channel