Kosovë, Veseli takohet me përfaqësues të komunave veriore

27/05/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti të mërkurën në një takim, një grup asambleistësh nga komunat veriore të Kosovës dhe Këshillin e Veriut, me të cilët bisedoi për sfidat dhe problemet e qytetarëve shqiptarë të asaj pjese të Republikës së Kosovës, si dhe për mundësitë e tejkalimit të tyre.

Asambleistët shqiptarë të komunave veriore e njoftuan kryetarin Veseli me zhvillimet shqetësuese, që po ndodhin në atë pjesë të vendit, si pasojë e ndërtimeve të shtëpive të komunitetit serb, nëpërmjet të cilave, sipas tyre, po tentohet të ndryshohet raporti etno-demografik. Ndërkaq, në anën tjetër, ende vazhdojnë të jenë të uzurpuara rreth 420 shtëpi të shqiptarëve, kurse mbi 200 të tjera kanë nevojë të ndërtohen dhe rindërtohen.

Kryetari Veseli ndau shqetësimin e tij lidhur me këto zhvillime dhe, njëkohësisht, shprehu gatishmërinë për të kontribuar në kthimin e qytetarëve në pronat e tyre në pjesën veriore të vendit.

“Ne ndajmë së bashku këtë shqetësim, sepse kjo nuk ndihmon as në raportet tona të fqinjësisë së mirë, e njëkohësisht as në proceset në të cilat jemi orientuar, atyre euro-atlantike”, theksoi kryetari Veseli.

Bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësitë e gjetjes së rrugëve dhe marrjen e masave konkrete, nëpërmjet të cilave do të mundësohej lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe kthimi i qytetarëve shqiptarë në pronat e tyre legjitime.

Kryetari Veseli i dha përkrahje edhe idesë së ndërmarrjes së një aksioni humanitar, për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës.

Top Channel