Organizatat e dala nga lufta dënojnë vendimet për “Drenicën”

27/05/2015 00:00

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë kundërshtuar vendimet e dhëna ndaj ish-bashkëluftëtarëve në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

Përmes një deklarate të përbashkët ata janë shprehur se, këto janë vendime të orkestruara nga Beogradi dhe një përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare.

“Edhe sot, vendimet politike në emër të drejtësisë, të marra ndaj bashkëluftëtarëve tanë në rastet ‘Drenica 1’ dhe ‘Drenica 2’, dëshmojnë se janë të orkestruara nga Beogradi, janë veprime antishqiptare dhe përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare, me tendenca për të barazuar atë me luftën kriminale dhe gjenocidale që Serbia ka bërë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Organizatat e dala nga lufta kundërshtojnë fuqishëm këto vendime, sikundër atë për ngritjen e Gjykatës Speciale, pasi sipas saj, ndërkombëtarët që kanë ardhur në Kosovë për drejtësi kanë bërë më shumë padrejtësi ndaj pjesëtarëve të luftës.

“Lirinë e fituam me gjak dhe falë luftës çlirimtare u krijuan institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat kanë për detyrë të marrin kërkesën e mëhershme që u kemi drejtuar për heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë Gjykatën Speciale sepse vetëm kështu ndërpriten padrejtësitë ndaj luftës çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj”, përfundon deklarata.

Top Channel