Cameron prezanton programin, spikasin: ulja e taksave, aksioni ndaj emigracionit ilegal dhe referendumi për BE-në

27/05/2015 00:00

Kryeministri britanik David Cameron prezantoi këtë të mërkurë përpara Mbretëreshës dhe anëtarëve të Parlamentit programin e tij qeverisës.

Cameron u zotua se “do të ndërtojë diçka të veçantë” dhe shpalli zyrtarisht vizionin e tij për “Një Komb”.

Duke prezantuar planet për ulje taksash, pronësinë e shtëpive dhe kujdesin e fëmijëve falas, kryeministri tha se, tani, pasi siguroi shumicë absolute në zgjedhjet e fundit, ai ka mandatin për t’i bërë këto plane realitet.

Në programin e tij ambicioz, me projektligje që pritet të kalojnë në 12 muajt e ardhshëm, zoti Cameron e vuri theksin tek përmirësimi i arsimimit, i kushteve të punës dhe për një pension të sigurtë për të gjithë punëtorët.

Nuk mungoi gjithashtu premtimi për mbajtjen e një referendumi për qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Evropian, ai për një aksion i ri kundër emigracionit ilegal dhe ai për kompetencat e reja për agjencitë e inteligjencës dhe policinë kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe pedofilisë.

Seanca e hapjes së Parlamentit me legjislaturën e re ishte rasti i duhur për Mbretëreshën që të paraqitej në një event të rëndësishëm politik.

Kjo ishte hera e 62-të gjatë mbretërimit të saj që monarkja mbajti një fjalim larg programeve politike të qeverisë. E ulur në fronin në Dhomën e Lordëve, ajo tha:

“Qeveria ime do të kthejë në ligj interesat e çdokujt në këtë vend. Ajo do të përshtasë qasjen e Një Kombi të vetëm, duke ndihmuar njerëzit që të rimëkëmben, duke mbështetur aspiratat e tyre dhe duke bashkuar zonat e largëta në një vend të vetëm”, deklaroi Mbretëresha.

Top Channel