Politikanët/et dhe veshjet në fushatë

27/05/2015 00:00

Ethet e zgjedhjeve po përplasin kandidatët jo vetëm për platformat politike, por mes tyre është hapur edhe një garë tjetër, ajo e imazhit. Në takimet me zgjedhësit, politikanët, sidomos kandidatet femra, teksa takojnë elektoratin, prezantohen me një pamje më të kuruar e më të thjeshtë.

Në këtë atmosferë zgjedhjesh, kandidatët kanë braktisur kollaret, manshetat, apo kostumin zyrtar, ndërsa femrat, pjesëmarrja e të cilave në këto zgjedhje është më e lartë, kanë lënë mënjanë takat, fustanet elegante apo bizhuteritë e shtrenjta. Qartazi, ato janë zëvendësuar me këpucë të sheshta, veshje sportive dhe sa më praktike. E kjo, dukshëm për të minimizuar distancat mes tyre dhe votuesve.

Në vetëm disa ditë fushatë, kandidatët apo krerët e partive që ata përfaqësojnë, kanë krijuar tashmë stereotipin e tyre.

Halim Kosova, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, ndoshta duke iu përshtatur edhe moshës së tij, shfaqet me një veshje të thjeshtë. Kosova alternon këmishat e lirshme me bluzat polo, shpesh mban veshur edhe një xhaketë gati përditshmërie. Sa i përket pantallonave, i preferon kryesisht të lirshme e prej doku.

Kandidati i Pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi shfaqet sportiv dhe vetëm sportiv. Në thuajse çdo takim elektoral, ai nuk i ndahet këmishës së bardhë, me jakë të hapur e pa kravatë, të kombinuar me pantallona xhinse, ose doku, dhe këpucë të sheshta. Ka pasur edhe raste, kur e ka thyer ngjyrën e tij të preferuar, duke dashur t’i përshtatet takimit, ku ai mori pjesë.

Keti Bazhdari, kandidatja e majtë për Bashkinë e Shkodrës, duket se nuk ka një stil të sajin. Politikania e majtë, ndoshta edhe për shkak të linjave të saj trupore, preferon këmisha të gjera, funde të gjatë, shpesh edhe veshje prej tyli.

Nga ana tjetër, kundërshtarja e saj Voltana Ademi, që përfaqëson opozitën, shijet e saj duket se janë orientuar vetëm në një linjë mode. Në çfarëdo lloj takimi që merr pjesë, zyrtar apo mes elektoratit, nuk i ndahet asnjëherë rruazave me perla, kombinuar me fustanet klasikë dhe takave.

Diana Mile, kandidatja e PS në Pogradec, ka përcjellë imazhin e një gruaje sa moderne, aq edhe sportive. Në takim me zgjedhësit preferon atletet, xhinset dhe këmishat me kuadrata.

Top Channel