Prishtinë, Gjermania dhuron 30 milionë euro për arsimin dhe bujqësinë

27/05/2015 00:00

Gjermania dhuron 30 milionë euro për Kosovën në kuadër të ndihmës për rimëkëmbjen ekonomike. Ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë Gerd Muller, u prit të mërkurën nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Dy ministrat për Zhvillim Ekonomik nënshkruan marrëveshjen për rreth 30 milionë euro që qeveria gjermane do të ndajë për Kosovën, mjete këto që do të shkojnë për sektorin e arsimit profesional dhe bujqësinë.

Por, investimet e tilla sipas ministrit gjerman nuk janë të mjaftueshme. Ai vuri theksin tek rëndësia e investimeve private të cilat gjenerojnë më tepër vende pune për çka tha se pjesë e delegacionit janë edhe biznesmenë gjermanë që po shqyrtojnë mundësitë për investime. Ministri gjerman Gerd Muller kujtoi numrin e madh të azilkërkuesve në Gjermani duke thënë se të gjithë do të kthehen.

Nga ana e tij, ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti, falendëroi qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme. Ai tha se deri më tani Gjermania ka dhënë 480 milionë euro për projekte të ndryshme në të gjitha fushat.

Top Channel