Kosova “injoron” vizitën e Vuçiç në Tiranë; asnjë koment nga politika

27/05/2015 00:00

Prishtina zyrtare nuk ka bërë as edhe një koment të vetëm për vizitën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Tiranë. Në qeverinë e Kosovës nuk e kanë parë të arsyeshme të komentojnë dhe po ashtu edhe subjektet politike në Parlament.

Por për njohësin e rrethanave politike, Naim Rashiti, vizitat e ndërsjella të kryeministrit shqiptar dhe serb në Tirane e Beograd janë tregues të qetësisë së marrëdhënieve në rajon, por nuk janë vizita të natyrës bilaterale.

Sipas tij, Tirana dhe Beogradi po plotësojnë axhendën e Berlinit zyrtar për përmbushjen e kritereve drejt integrimeve europiane.

“Besoj që akulli është thyer në Beograd. Përkundër mospajtimeve, në fotografinë e madhe Shqipëria dhe Serbia po përmbushin kriteret në raport me integrimet europiane. Një prej tyre është fqinjësia e mirë mes vendeve të Ballkanit dhe besoj që këto vizita do t’i kontribuojnë relaksimit të marrëdhënieve mes popujve. Kjo ka të bëjë edhe me rifitimin e pozicionit të Shqipërisë si një prej faktoërve kyç në Ballkan”, thotë Rashiti.

Sidoqoftë, dallimet mbeten të mëdha dhe sipas analistit, nuk priten përparime të shpejta sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, edhe për faktin se kryeministri i Serbisë e ndërlidh këtë çështje me të drejtat e serbëve në Shqipëri.

Por megjithë deklaratat e kundërta të të dy kryeministrave për Kosovën, analistët vlerësojnë se Serbia aktualisht ndodhet në situatë të pakëndshme dhe qëndrimi i saj do të zbutet.

“Besoj që edhe Beogradi e kupton që Kosova ka një status të barabartë me gjithë të tjerët dhe gjithnjë e më shumë Serbia po gjendet në një situatë të pakëndshme në raport me Koosvën. Ndaj besoj që pozicioni i sforcuar i Serbisë në raport me pavarësinë e Kosovës vetëm sa i kontribuon rritjes së një presioni ndërkombëtar mbi të. Ka një kuptim situata dhe besoj se gradualisht do të zbutet pozicioni i Serbisë ndaj Kosovës”, thotë Rashiti.

Vizita e kryeministrit të Serbisë në Tiranë vjen një ditë pasi, ministri i jashtëm i Kosovës dhe ai i Serbisë morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nga ku dolën me akuza ndaj njëri-tjetrit si për pozicionin aktual të qeverive që drejtojnë, ashtu edhe për veprimet e së kaluarës.

Top Channel