Negociatat me huadhënësit, Tsipras: Jemi shumë pranë marrëveshjes

27/05/2015 00:00

Pas një mbledhje urgjente në Ministrinë e Financave me disa prej anëtarëve të kabinetit të tij, Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka pohuar para kamerave se Greqia është “shumë pranë marrëveshjes” në negociatat me huadhënësit europianë dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Kërkohet qetësi dhe vendosmëri”,- ka deklaruar Tsipras, duke shtuar se edhe njëherë do t’i dëshmojë të kundërten gjithë atyre që kishin paralajmëruar se qeveria e tij nuk do të paguante në kohë pagat, pensionet dhe detyrimet tjera.

“Ne kemi bërë shumë hapa, jemi në metrat e fundit, jemi pranë një marrëveshjeje e cila do të jetë pozitive për ekonominë greke. Nuk jemi vetëm, kemi të bëjmë me tre institucione të ndryshme të cilat shpesh kanë pikëpamje të kundërta mes tyre dhe kryesisht kemi të bëjmë edhe me partnerët nga shumë vende, me qasje shumë të ndryshme”,- është shprehur kryeministri grek.

Tsipras gjithashtu ka përgenjështruar edhe publikimet në shtypin vendas se qeveria e tij do të vendoste një taksë mbi shkëmbimet bankare apo do të bllokonte lëvizjen e kapitaleve. Vetëm në muajin prill mbi 5 mld euro janë tërhequr nga depozitorët grekë, ndërsa prej nëntorit të kaluar kjo shumë përllogaritet në mbi 40 mld euro.

“Nuk ka absolutisht asnjë rrezik për pagat dhe pensionet, as për bankat, as për depozitat dhe unë besoj se së shpejti do të jemi në gjendje të shikojmë përpara me më shumë optimizëm”,- ka vazhduar Tsipras.

Ndërsa Tsipras deklaronte se ka filluar të shkruhet marrëveshja me partnerët, burime pranë të ashtuquajturit “Grupi i Brukselit” ku përfshihen përfaqësuesit e kreditorëve të Greqisë, theksojnë se ende po rishikohen gjithë pikat e marrëveshjes, pasi për disa prej tyre nuk është rënë dakord, sidomos nga ana e FMN-së.

Vlen të përmendet roli intensiv i SHBA-ve në orët e fundit në përshpejtimin e negociatave pas bisedës që ka pasur ministri amerikan i Financave Jack Liou, me kryeministrin grek, por edhe me homologun e tij gjerman Wolfgang Shcauble, në kuadrin e G7-s që do të fillojë punimet në Dresden të Gjermanisë ditën e enjte.

Top Channel