“Top Show”, gara për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi apo Enkelejd Alibeaj?

28/05/2015 00:00

Armando Subashi apo Enkelejd Alibeaj? Cilët janë dy kandidatët në garë për Bashkinë e Fierit? Çfarë premtojnë dy juristët për transformimin e këtij qyteti?

Kandidati i Partisë Socialiste, Armando Subashi dhe ai i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ishin përballë njëri-tjetrit mbrëmjen e së mërkurës në “Top Show” për prezantimin e platformës së tyre.

Çështja e parë që u diskutua nga dy kandidatët për bashkinë e Fierit ishte mirëqeverisja.

I pari që e mori fjalën ishte kandidati i Partisë Socialiste, zoti Armando Subashi, i cili tha se kryetari i bashkisë duhet ta dashurojë qytetin. Ai u shpreh se nën drejtimin e tij, Fieri do të rilindë, po ashtu si e gjithë Shqipëria.

“Në radhë të parë është vizioni që duhet të ketë një kandidat për qeverisjen e qytetit, duke vazhduar më pas me gjetjen e instrumenteve dhe mjeteve të përshtatshme, duke vazhduar me dëgjesa për njohjen e problematikave dhe halleve që kanë njerëzit. Ajo që ka një vlerë të madhe është se çdo kryetar bashkia duhet ta dashurojë qytetin, duhet ta ndjejë pjesë të tijën dhe duhet të bëjë përpjekje për ta ndryshuar për mirë atë. Besoj se ne kemi gjetur të gjithë instrumentet e duhura për ta bërë këtë dhe sot jemi në të njëjtën gjatësi vale me vizionin dhe planet konkrete që ka qeveria shqiptare në këtë drejtim. Po ashtu si e gjithë Shqipëria, besoj se Fieri nën drejtimin tim do të rilindi”, tha Subashi.

Para se të fliste për mirëqeverisjen, zoti Alibeaj renditi disa komponentë që dallojnë në Bashkinë e Fierit, të cilët kanë të bëjnë me keqqeverisjen. Ndërsa për sa i përket mirëqeverisjes ai tha se e rëndësishme është se cilët do të punojnë në bashki, si do të punohet dhe çfarë do të bëjë bashkia. Alibeaj shtoi se do të krijojë senatin fierak me emrat më të njohur.

“Për të diskutuar për mirëqeverisjen njerëzit duhet të kuptojnë keqqeverisjen. Korrupsioni është i pari komponent që dallon në Fier, i cili shihet në disa çështje konkrete që fierakët i dinë. Parkingu është e para çështje që identifikon keqqeverisjen në Bashkinë e Fierit. E dyta ka të bëjë me sipërfaqet e tokave, ndërsa e treta është çështja e punësimit. E katërta është fakti i papërgjegjshmërisë apo i mungesës totale të kontrollit të publikut ndaj bashkisë. Çështja e mirëqeverisjes? E rëndësishme është t’i jepet përgjigje këtyre 4 pyetjeve. Kush do të punojë në Bashkinë e Fierit? Ne do të qeverisim me një staf profesionist i marrë nëpërmjet konkurrueshmërisë dhe elementë të ekselencës. Si do të punojmë? Do të punojmë jashtë çdo lloj praktike korruptive, të konfliktit të interesit. Çfarë do të bëjë bashkia? Përmirësim i klimës midis bashkisë dhe qytetarit, me biznesin, me shtresat në nevojë. Në momentin që do të jem në krye të bashkisë unë do të krijoj senatin fierak”, u shpreh Alibeaj.

Potencialet e zhvillimit

Subashi renditi disa nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik nëse ai do të jetë në krye të Bashkisë së Fierit. Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishme bujqësinë, më pas turizmin, mjedisi, planifikimi urban, por edhe pasuritë nëntokësore.

“Bashkia e madhe ofron mundësi pa fund, por edhe sfida pa fund. Reforma administrative synonte përmirësimin e shërbimeve, gjithashtu bashkitë e reja duhet të shikohen edhe si njësi, të cilat nëpërmjet strategjive, duhet të gjenerojnë më shumë zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim Bashkia e Fierit mund të jetë e para në Shqipëri për sa i përket resurseve ka mundësi të mëdha. Në gjithë këtë histori shtylla e parë është bujqësia, më pas është turizmi me një vijë bregdetare të paprekur. Të gjitha këto përbëjnë një aset shumë të çmuar dhe mund të ngjallin kuriozitetin e turistëve. Jashtë vëmendjes nuk duhen lënë edhe problemet që kanë të bëjnë me mjedisin sepse në këtë drejtim sidomos qyteti i Fierit ka shumë probleme. Një shtyllë tjetër e zhvillimit ekonomik nesër do të jetë dhe planifikimi urban. Gjithashtu një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet edhe pasurive nëntokësore, si nafta apo gazi, ku ka nevojë për disa politika më të drejtpërdrejta”, tha Subashi.

Gjithashtu edhe Kandidati i Partisë Demokratike renditi 5 orientimet kryesore, ku sipas tij më e rëndësishmja është çështja e parkimit.

“Fieri është kontributori i dytë në buxhetin e Fierit me 8.9%, madje është dyti edhe për sa i përket numrit të bizneseve. Ato që janë 5 orientimet kryesore se ku duhet të jetë Fieri i 30 viteve të ardhshme janë këto sipas konceptimit tim: Çështja e pozicionimit të hapësirave për parkim. Çështja e mushkërisë së gjelbër të Fierit, e cila do të vendoset përgjatë kodrave të Cakranit dhe pylli i Levanit. Çështja tjetër është studimi i zonës së plazheve. E fundit, janë parqet industriale që janë në qendër të qytetit, të cilat do të pozicionohen përgjatë ‘bypass’-it. Këto janë zgjidhjet për Fierin, i cili duhet të shpëtojë nga agonia”, tha Alibeaj.

Resurset ekonomike

Në rast se Armando Subashi do të jetë në krye të Bashkisë së Fierit pas zgjedhjeve të 21 qershorit, ai premton se do të përfundojë azhornimin e tokave, certifikimin e tyre, si dhe ndërtimin e tregjeve.

“Vëmendja jonë kryesore do të jetë bujqësia. Ne kemi një program të mirëhartuar për të gjitha problemet që ka bujqësia sot. Bashkia në Fier ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Shfrytëzimi i tokës së punueshme, rreth 40 mijë hektarë, është një aset dhe një resurs shumë i madh dhe merita e bashkisë së nesërme do të jetë alternimi i të gjithë politikave në ndihmë të bujqësisë. Ne jemi fokusuar në tre gjëra kryesore. Përfundimi i azhornimit të gjithë tokës bujqësore; certifikimi i të gjitha tokave që kanë marrë fermerët. Momenti i tretë është ndërtimi i tregjeve”, tha Subashi. 

Zoti Alibeaj e cilësoi si një sfidë të madhe rikthimin e vlerave intelektuale në Fier, ndërsa shtoi se do t’i vërë pasuritë publike në përdorim për t’i dhënë shpresë çdo qytetari të kësaj bashkie.

“Gjithçka duhet të jetë në shërbim të individit. Fieri është qyteti i parë për resurse dhe burime njerëzore. Bashkia e Fierit është më arsimdashëse në vend. 65% e maturantëve marrin rrugën e arsimit të lartë. Fieri numëron sot ndoshta kastën më të madhe të intelektuale, por kjo kast largohet nga Fieri për shkak se aty nuk ka të ardhme. Kjo është një sfidë e madhe për Bashkinë e Fierit. Mbajtja dhe rikthimi i vlerave intelektuale në Fier, kjo është sfida. Pasuritë publike mund të shfrytëzohen në këtë drejtim për t’i dhënë shpresë çdo qytetari të kësaj bashkie. Kjo është formula e vetme”, tha Alibeaj.

Biznesi

Subashi është shprehur në lidhje me çështjen e biznesit se bashkinë nuk e lejon ligji për uljen e taksave, por sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte marrja e mendimit të biznesit dhe bashkëbisedimi me të.

“Marrëdhëniet që duhet të krijojë bashkia me biznesin janë të përcaktuara me ligj. Tarifat e vendosura nga bashkitë janë të papërballueshme për biznesin e vogël dhe të madh. Ulja e tarifave nga bashkia mund të ketë ndikime të mëdha në komunitet, duke rritur punësimin dhe investimet në këtë sektor. Një mundësi është edhe zerimi i taksave, por kjo nuk ka prodhuar asgjë, pasi u premtua edhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës. Unë mendoj se rruga e duhur është bashkëbisedimi me biznesin dhe marrja e mendimit të tij. Biznesi nuk është i interesuar për tarifat e vogla që vendos bashkia, por për politika të mëdha. Pjesëmarrja e biznesit në bashkëqeverisjen e qytetit është një rrugëzgjidhje”, tha Subashi.

Ndërkohë, Alibeaj tha se kjo është një çështje ku ndahen dy kandidatët. Ai u shpreh se do të propozojë ulje të taksave në nivel 30%, aq sa e lejon ligji.

“Kjo është çështja e parë që na ndan. Në ka një formulë biznesi është partneriteti publik-privat. Biznesi është kontributor 9.8% në të gjitha të ardhurat në vend. Është fat ta kesh partner këtë biznes të tillë. Kodi i vetëm i komunikimit me biznesin është një, marrëdhënia që krijohet me të. Unë jam që biznesi të paguajë minimumin e taksave dhe ky është një dallim i madh. Një taksë më pak një i punësuar më shumë. Ne do të propozojmë ulje të taksave të biznesit në masën 30%, aq sa ligji e lejon. Ne do të krijojmë 1500 vende të reja pune vetëm në 3 vitet e para. Njëra prej taksave që do të hiqet është taksa e gjelbërimit, ndërsa taksa e ndërtimit do të ulet nga 10 lekë në 7 lekë”, tha Alibeaj.

Kandidati i së majtës reagoi duke thënë se biznesi e ka të qartë se çfarë ka hequr në 8 vite qeverisje nga PD-ja, “dhe fakti që po vazhdojmë të shlyejmë borxhet tuaja ndaj biznesit, nuk lë vend për koment”, tha ai.

Infrastruktura dhe urbanistika

Subashi tha se është i nevojshëm zgjerimi i vijës së verdhë në fshatra për të zgjeruar ndërtimet, ndërsa e cilësoi si sfidë ndërtimin e një parku dhe i një kurore të gjelbër për qytetin.

“Problemet e infrastrukturës ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve. Gjithashtu nga mënyrë që do të projektohet janë një element shumë i rëndësishëm edhe për ekonominë. Ne kemi një nevojë në fshatra për të zgjeruar vijat e verdha, për të zgjeruar ndërtimet. Qyteti i Fierit ka nevojë për t’u zgjeruar. Pallateve shumë-katëshe duhet t’i japim fund dhe Fieri ofron mundësi shumë të mëdha në këtë drejtim. Ndërtimi i një parku apo i një kurore të gjelbër janë disa nga sfidat tona. Edhe qendra e qytetit ka nevojë për investime. Vetëm në një vit e gjysmë që ne jemi në pushtet është bërë një punë shumë e mirë për qendrën e qytetit. Ne kemi në projekt edhe zgjerimin në disa drejtimi kryesore të qytetit. Fieri ka nevojë që të eci me të njëjtën dimension rruge për të shkuar drejt pjesës së gjelbër ku do të ndërtohet edhe spitali rajonal dhe parku i qytetit”, tha Subashi.

Alibeaj e cilësoi infrastrukturën si plagën më të madhe për qytetin e Fierit, teksa shtoi tjetër si problem edhe ujësjellësin.

“Infrastrukturë do të thotë rrugë. Në ka një qytet që nuk ka rrugë është Fieri. Infrastruktura ka të bëjë edhe me rrugët midis lagjeve, jo vetëm brena qytetit, por edhe rrugët e fshatit. Ujësjellësi është një tjetër problem për Fierin, qytetarët deri tani e paguajnë ujin 3 herë. Infrastruktura është plaga më e madhe për qytetin e Fierit”.

Arti kultura dhe sporti

Në plan të parë për zotin Subashi, nëse do të zgjidhet në krye të bashkisë së Fierit, do të jetë edhe arti dhe kultura, ndërsa për sportin tha se ai do të synojë shtimin e numrit të aksionerëve në klubin Apolonia.

“Nëse ka një gjë që mund të jetë bërë edhe me tepri është sasia e madhe e aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytet. Nëse kjo është bërë mirë do të thosha që ka nevojë që nesër të hedhim shikimin në infrastrukturë. Teatri i Fierit ka nevojë për rikonstruktim. Fieri ende nuk ka një kinema me standarde. Arti dhe kultura do të jetë fokusi jonë kryesor në 4 vitet e ardhshme. Pika më e ndjeshme është futbolli. Unë do të synoj që nëpërmjet zgjidhjeve ligjore që ekipi të shkëputet nga SHA-ja dhe të rritet numri i aksionarëve, pasi kjo ka rezultuar një formë e dështuar”.

Për Alibeajn Infrastruktura është në gjendje mjerane. Ai mori si shembull teatrin “Bylis”, ku sipas tij nuk ka as kushtet më minimale. Ndërsa tha se nëse do të zgjidhet në krye të bashkisë do t’i rikthejë qytetit ekipin e futbollit.

“Teatri “Bylis” ka pasur disa aktivitete, por ai është i ftohtë akull. Infrastruktura është në gjendje mjerane. Drama më e madhe është klubi i futbollit Apolonia, e cila vazhdon me lëkundje herë hipën dhe herë zbret nga kategoria, kjo ndodh sepse drejtuesi nuk investon asnjë lekë nga xhepat e tij për këtë klub. Drama më e madhe janë të rinjtë pasi ambientet janë uzurpuar nga drejtuesi i ekipit të futbollit. Kur unë të marrë drejtimin e futbollit, ekipi do të jetë shoqëri aksionere, duke ja kthyer qytetarëve të Fierit”.

Mjedisi, lumi Gjanica

Për sa i përket sistemimit të lumit Gjanica, Subashi tha se tashmë për këtë ekziston një projekt dhe synim do të jetë zbatimi i tij.

“Mjedisi shikohet në dy aspekte, në rritjen e cilësisë së jetës dhe zhvillimi ekonomik. Gjanica, veç ndotjes mjedisore që shkakton, problem i madh janë edhe përmbytjet për shkak të ndërtimeve që kanë ngushtuar shtratin. Sistemimi i lumit do të jetë e para gjë që ne do të bëjmë. Sistemimi i lumit tashmë e ka një projekt, i cili nëse zbatohet shkon rreth 40 milionë euro, pasi konsiston në shpronësimin e të gjitha ndërtimeve dhe duhet të paguajmë nga taksapaguesit. Për këtë është çelur edhe një fond nga qeveria prej 15 milionë euro. Do të ketë prishje të ndërtimeve dhe më pas faza e dytë është zbatimi i projektit, i cili duhet të ndahet në faza. Ne do të bëjmë një politik shumë agresive ndaj ndotësve jo vetëm të Gjanicës. Mbetjet hidrokarbureve nuk duhet të derdhen në Gjanicë. Vlen të theksohet edhe dhënia fund e shkarkimit të ujërave të zeza në Gjinicë, ne kemi identifikuar edhe vendet për ujërat e zeza”.

Zoti Enkelejd Alibeaj tha se emergjencë numër një është zgjidhja e problemit të përmbytjes nga lumi. Ai tha se zgjidhja e këtij problemi do të jetë prioritare.

“Sa herë që ka zgjedhje ka gjithmonë një projekt. I vetmi fierak që e di këtë punë është Armando, pasi asnjë nuk e di për çfarë projekti bëhet fjalë. Askush nuk e di çfarë do bëhet. Problemi më i madh i Fierit është ndotja e ajrit dhe e tokës. Gjithashtu edhe Arseniku është një ndotës. Problemi më i madh i Gjanicës është përmbytja, e cili do të përsëritet menjëherë pas nisjes së shirave. Derdhja e saj në Seman është problemi. Zgjidhja e parë është fakti që duhet të merren masa për të mos u përmbytur Fieri. Pas viteve 90 janë ndërtuar në mënyrë abuzive. Thellimi i skarpateve, ngritja e mureve dhe ndryshimi i grykëderdhjes dhe kjo bëhet vetëm më 7 milionë euro dhe jo me 40 milionë që është e pamundur. Kjo është emergjenca numër një. Ky kryeministër do t’i prish ato ndërtime dhe nuk do të dëmshpërblej asnjë, madje edhe Gjanica do të jetë në të njëjtën gjendje. Është i nevojshëm për t’u bërë një studim, mundësisht edhe për zhvendosjen e lumit. Hidrokarburet, mjeti i vetëm të detyrosh kompanitë nën presion ligjor për të parandaluar dhe dëmshpërblyer qytetarët për ndotjen”.

Ndotja e ajrit

Kandidati i Partisë Socialiste u shpreh se një ndër ndotësit më të mëdhenj në Fier janë plehrat, fusha e të cilave është ngjitur me qytetin dhe për të do të ndërtohet një landfill.

“Në 2009 kur ka qenë ministër Alibeaj është bërë groposja e Arsenikut. Kjo është mbyllur si problem nga një firmë e huaj. Projekti është vëzhguar nga ambasadori i BE-së dhe ajo zonë nuk përbën më problem. Rafineria është ende problem për shkak të teknologjisë së vjetër dhe gazrave. Ne do ta zgjidhim këtë problem, me impiante. Sot kemi një problem me fushën e plehrave, i cili është ngjitur me qytetin. Nesër ne do ta largojmë disa kilometra nga qyteti dhe do të krijojmë një landfill. Ne do të synojmë edhe një marrëveshje me bashkinë e Patosit dhe Roskovecit për përpunimin e mbetjeve urbane”.

Kandidati i PD-së tha se pastrimi i qytetit dhe i komunave do të jepet me koncesion dhe të administrohen nga privati.

“Plehrat kanë më shumë se 12 vjet që janë po në të njëjtën zonë dhe për to landfilli është e vetmja zgjidhje, por ka një problem pasi do të duhet të mos dëmtojnë ujërat nëntokësore. Për këtë duhet të gjendet një marrëveshje bashkëpunimi me bashkitë e afërta. Që të bëhet efektiv përdorimi i landfillit nevojitet një marrëdhënie e partneritetit publik privat. Pastrimi i qytetit dhe i komunave do të jepet me koncesion dhe të administrohen nga privati. Kjo është një çështje që do të ofrohet në bazë të një transparencë”.

Top Channel