Shkup, Zaev u bën thirrje BE dhe SHBA të ndihmojnë për zgjidhjen e krizës

28/05/2015 00:00

Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, pret që kriza politike në Maqedoni të tejkalohet deri në fund të muajit qershor. Ai, ftoi SHBA-të dhe BE-në, të ndihmojnë që sa më parë të gjendet një zgjidhje për krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi.

“Nikolla Gruevski, sot nuk doli nga kjo ndërtesë. Por, do të del, jo sepse LSDM-ja dëshiron ashtu, por sepse Gruevski nuk ka më as çfarë të thotë, e as çfarë të gënjejë. Gruevski, ty të mungon ndërgjegjja. Ti nuk mund të jesh më kryeministër. Ndërprite këtë turp që po ia shkakton Maqedonisë dhe braktise kabinetin qeveritar. Vetëm qeveria kalimtare është zgjidhje për krizën politike”, tha Zaev.

Ndonëse ende nuk ka publikuar dëshmitë që posedon për rastin “Monstra”, lideri i opozitës maqedonase, tha se ekzistojnë dyshime serioze për këtë rast. Megjithatë, Zaev, u distancua nga një shkrim i publikuar në një të përditshme gjermane, ku ai citohet të ketë thënë se shqiptarët e dënuar për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas janë të pafajshëm.

“Me siguri bëhet fjalë për ndonjë gabim gjatë interpretimit të deklaratës sime nga ana e gazetarit, por gjithsesi lidhur me këtë rast ka dyshime të mëdha. Këtë e kam sqaruar edhe në intervistë dhe me zbardhjen e të vërtetës për rastin ‘Monstra’ do të zbulojmë një të vërtetë shumë të dhimbshme”, u shpreh lideri i opozitës maqedonase.

Ndërkohë, Zaev ka vazhduar me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar. Në një konferencë, lideri social-demokrat tha se skandali i përgjimeve po zbulon aferat e shumta kriminale, në të cilat është përfshirë gjatë qeverisjes kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt.

Top Channel