Vuçiç në Tiranë, ja si e pasqyruan vizitën mediat serbe  

28/05/2015 00:00

Një përpjekje për të tjetërsuar deklarimet dhe herëpashere për të thënë se kishte provokime. Por, pavarësisht disa raportimeve dhe keqintepretimeve, kësaj radhe nuk ka vend për dyshim: vizita e Vuçiç në Tiranë ishte një vizitë e suksesshme.

E përditshmja “Danas” shkruan se Vuçiç ka deklaruar se është krenar që është kryeministri i parë serb në histori që ka vizituar Tiranën. Në një shkrim analitik dhe objektiv, kjo e përditshme shkruan se Kosova është mospajtimi i vetëm mes dy kryeministrave.

E përditshmja “Blic” shkruan se “në vend të bashkim-vëllazërimit, Vuçiç e Rama me projekte të përbashkëta”, me një titull: “Vuçiç e Rama si Boro e Ramizi”, që aludon në historinë jugosllave të bashkëjetesës.

Tabloidët serbë, që zënë një hapësirë mjaft të madhe në pasqyrën e shtypit, shkruajnë disi më ndryshe. “Vuçiç-Ramës: Mos luaj me ne”, shkruan “Informer”.

“Kurir” thotë se Vuçiç ka kënduar himnin serb në mes të Tiranës dhe ka nënshtruar Shqipërinë, sikurse Tito, duke iu referuar disa gazetave në Tiranë.

Vuçiç tërheq Ramën nga ideja e “Shqipërisë së Madhe” dhe, siç shkruan “Vecernje Novosti”: “Kot keni ëndërruar Kosovën e pavarur”.

E përditshmja “Politika” shkruan mjaft kujdesshëm, duke nënvizuar se nuk ka nevojë për pengesa mes dy vendeve.

Top Channel