Rama e Mustafa takojnë Gruevskin, diskutohet situata në Kumanovë

28/05/2015 00:00

Forumi Ekonomik i Vjenës në Tiranë ishte një mundësi e mirë për kryeministrat e rajonit të realizonin takime bilaterale. Në qendër të takimeve është vënë kryeministri maqedonas Gruevski, për vetë specifikën e zhvillimeve të fundit në vendin e tij.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, janë takuar me kryeministrin Gruevski dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Popovski.

Endri Fuga, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, ka postuar në Twitter një foto, ku njofton takimin Rama-Gruevski. Ndërsa në një tjetër postim, Fuga thotë se në takim janë shkëmbyer pikëpamje të bashkëpunimit dypalësh dhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Kryeministri Gruevski refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së Top Channel, se kur do të përfundojnë hetimet për ngjarjen e Kumanovës dhe se, a do të pranohet një hetim ndërkombëtar.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi një takim me homologun maqedonas, për të cilin dha këtë koment: “Biseduam në lidhje me ngjarjet e fundit që ndodhën në Maqedoni dhe mbi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë të organeve tona të Punëve të Brendshme, me të Maqedonisë, në mënyrë që të parandalojmë situata të tilla në të ardhmen. Ne u zotuam se këtë do ta bëjmë. Po ashtu diskutuam edhe për zbatimin e kritereve ndërkombëtare, sa i përket trajtimit të njerëzve të burgosur. Kemi kërkuar gjithashtu të bëhet edhe një hetim ndërkombëtar, sepse konsiderojmë që një hetim i tillë do të jetë më neutral e do të japë rezultate më të dobishme për Maqedoninë dhe për Kosovën”.

Me gjithë problemet e brendshme, ardhja në Tiranë e 6 kryeministrave të rajonit dëshmon se, tashmë e kanë të gjithë të qartë, se e ardhmja i takon vetëm bashkëpunimit.

Top Channel