Kosovë, Kuvendi “në ankth” për votat e Gjykatës Speciale. Të premten seanca

28/05/2015 00:00

Deputetët e koalicionit qeverisës në Kuvendin e Kosovës janë kontaktuar secili personalisht, një ditë para se të hidhen për votim ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale.

Top Channel ka mësuar, nga burime brenda grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, se shumica e deputetëve tashmë e kanë konfirmuar votën e tyre pro formimit të gjykatës.

Pavarësisht marrjes së garancive nga deputetët, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci është shprehur i alarmuar për sigurimin e votave të nevojshme, pasi tha se deputetët ende nuk e kanë parë projektligjin për Gjykatën Speciale. 24 orë përpara seancës, projektligji ende nuk i ka kaluar Kuvendit, pasi më parë amendamentet e tij duhet të miratohen në qeveri.

“Po, absolutisht, amendamentet do të jenë të mangëta, nëse nuk është edhe ligji. Prandaj ato duhet të merren të dyja bashkërisht, duhet të analizohen dhe pastaj duhet të procedohen më tutje. Ne do të angazhohemi maksimalisht, që të kemi vërtet një proces të drejtë, sepse praktikat e deritanishme na bëjnë shumë skeptik”, tha Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Duke qenë se shumica parlamentare po kërkon dy të tretat e votave për formimin e Gjykatës Speciale, partitë opozitare po punojnë që ky proces të dështojë.

“Me thënë të drejtën, nuk e shoh fare të sigurt themelimin e Gjykatës Speciale, për shumë arsye. Flitet që rreth 10 deputetë, ndoshta të kampit të mazhorancës, nuk do ta votojnë Gjykatën Speciale dhe kjo e ndërlikon paksa punën e numrave në Kuvendin e Kosovës”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, që është caktuar për të premten, ka në rend të ditës vetëm një pikë, atë për miratimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale.

Ndërkohë që, për ta formalizuar formimin e gjykatës nevojitet edhe miratimi i ligjit për Gjykatën Speciale, i cili paraprakisht duhet të miratohet në qeveri, në mbledhjen që pritet të mbahet të premten paradite.

Për të kaluar si amendamentet kushtetuese, ashtu dhe ligjin për Gjykatën Speciale, pa bërë shkelje kushtetuese, Kuvendi dhe qeveria janë koordinuar paraprakisht.

“Së pari, duhet të kalojnë amendamentet, që garantojnë në pjesë të caktuara ndryshimin e Kushtetutës, pastaj mund të vijë ligji, i cili do të jetë në përputhje me ndryshimet kushtetuese, që pritet të miratohen”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

Nëse Kuvendi i Kosovës miraton ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për Gjykatën Speciale, atëherë i hapet rrugë menjëherë punës së “dhomave të specializuara”, të cilat do të gjykojnë krimet e pretenduara se janë kryer nga eprorët e UÇK-së. Gjatë seancës së të premtes, jashtë Kuvendit priten të protestojnë shoqatat e dala nga UÇK-ja.

Top Channel