Al Kaeda urdhëron Al Nusrën të mos kryejë sulme ndaj Perëndimit

28/05/2015 00:00

Al Kaeda ka urdhëruar degën e saj në Siri, frontin Al Nusra, të mos e përdorë këtë vend për sulme kundër Perëndimit. Në një intervistë dhënë televizionit satelitor të Katarit, Al Xhazira, kreu i Al Nusrës, Abu Mohammed al-Julani, sqaroi se vëmendja e grupit xhihadist është e përqendruar e gjitha tek marrja e Damaskut dhe përmbysja e presidentit sirian Bashar Al Assad.

“Minoritetet siriane që e kanë kundërshtuar Assadin do të kenë mbrojtjen tonë”, u shpreh ai në intervistën e gjatë të transmetuar të mërkurën në mbrëmje. Vendi ku u kryen xhirimet është mbajtur sekret, ndërsa fytyra e Julanit nuk tregohet në asnjë moment.

Lideri i Al Nusrës qëndron i ulur në një karrike me zbukurime, që e vendos përballë intervistuesit Ahmed Mansour dhe me kurrizin të kthyer nga kamera.

“Ne kemi vetëm një mision për të kryer: luftën ndaj regjimit dhe agjentëve të tij në terren, përfshirë këtu Hezbollahun e disa të tjerë. Al Nusra nuk ka plane apo udhëzime për të vënë në shënjestër Perëndimin. Kemi marrë urdhra të qarta të mos e përdorim Sirinë si platformë për sulme kundër Shteteve të Bashkuara apo Europës në mënyrë që të mos sabotohet misioni ynë i vërtetë: rënia e regjimit sirian. Al Kaeda mbase i bën gjetkë gjëra të tilla, por jo këtu në Siri”, tha Al Julani. 

Julani i mohoi pretendimet e Shteteve të Bashkuara se fronti ka një celulë sekrete të quajtur grupi “Khorasan” të cilës i është ngarkuar detyra e organizimit të sulmeve jashtë Sirisë. Nuk ekziston fare një grup i tillë, u shpreh ai, e kanë shpikur amerikanët për të mashtruar publikun.

Aleanca e rebelëve sirianë, ku bën pjesë dhe Al Nusra, ka avancuar në veri-perëndim të Sirisë duke marrë së fundi edhe kontrollin e qytetit të rëndësishëm të Idlibit, ndërsa po përparon edhe drejt provincës së Latakiasë, një fortesë e presidentit Assad dhe e sektit të tij, Alavit.

Top Channel