Shkupi zyrtar ende nuk u është përgjigjur spekulimeve se disa muaj para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit, një agjent i fshehtë i Maqedonisë është takuar me anëtarët e grupit të armatosur të Kumanovës.

Sipas ish-drejtorit të Agjencisë së Kundërzbulimit, Kire Naumov, sigurimi i informacioneve nga jashtë është punë e agjencisë dhe nuk ka kurrfarë problemi nëse ndonjë agjent i tyre është takuar me ata persona. Por, qëllimi i këtyre takimeve, thotë ai për mediat, duhet të jetë parandalimi, që u tregua si dështim me ngjarjet në Kumanovë.
 
Nëse bëhet fjalë edhe për nxitje, siç shkruajnë mediat e Kosovës, Naumov thotë se përgjegjësia bie mbi një numër të madh njerëzish.
 
“Pa dyshim, fundi i kësaj, pa marrë parasysh çfarë do të zbulohet – nëse këta njerëz kanë tentuar ta parandalojnë ose nëse ka dëshmi minimale se kanë stimuluar dhe kanë luajtur lojë ku në fund ndodhi ajo që ndodhi – përgjegjësia është e pashmangshme dhe ajo u bie në hise të gjithë atyre që janë të përfshirë”, pohon Naumov.
 
Sipas tij, mungesa e informatave nga institucionet zyrtare tregon se e gjithë situata menaxhohet në mënyrë të gabuar, duke u krijuar hapësirë spekulimeve dhe ndërlikimit të situatës.

Top Channel