SHBA, ushtria “shpërndan” kampionë antraksi nëpër laboratorë

28/05/2015 00:00

Ushtria amerikane ka dërguar aksidentalisht kampionë antraksi në disa laboratorë të vendit, si dhe në një bazë të saj në Korenë e Jugut.

Njoftimin e bëri vetë Pentagoni, i cili pranoi njëkohësisht se gabimi ka pasur pasoja, ndonëse jo të rënda. 22 pjesëtarë të personelit ushtarak në bazën ajrore të Osanit janë duke marrë trajtim mjekësor pas ekspozimit ndaj bakterieve të gjalla. Nën mbikëqyrjen e mjekëve janë edhe 4 civilë, ndonëse rreziku për ta është fare minimal.

“Personeli i bazës në Korenë e Jugut mund të ketë rënë në kontakt me kampionët e antraksit gjatë një stërvitjeje, megjithatë askush nuk paraqet shenja të një ekspozimi të rrezikshëm. Sidoqoftë, personat në fjalë i janë nënshtruar masave mjekësore parandaluese, ku përfshihen kontrollet e imtësishme, antibiotikët, e në disa prej rasteve edhe vaksinimi”, tha Steve Warren, zëdhënës i Pentagonit.

Kampionët tashmë janë shkatërruar që të gjitha, në përputhje me rregullat e protokollit, sqaroi më tej koloneli Warren. Ekspertët e biosigurisë, megjithatë, u shprehën thellësisht të befasuar nga ky gabim, e bënë thirrje për kujdes më të madh në të ardhmen.

Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve nisi menjëherë një hetim mbi ngjarjen, e cila vjen pothuajse një vit pasi, edhe ajo vetë, ndonëse konsiderohet si një prej laboratorëve më të suksesshëm civilë në vend, pati një incident të ngjashëm, po me patogjenin e konsideruar ekstremisht të rrezikshëm.

Sporet e gjalla ishin nisur pa dashje – sipas gjasave, – nga një laborator i Departamentit amerikan të Drejtësisë në Utah, drejt 9 laboratorëve të tjerë në Shtetet e Bashkuara, si dhe atij të bazës së Osanit.

Top Channel