Blushi: Arsimi profesional po dështon. Të bëjmë gjimnazet me detyrim

28/05/2015 00:00

Parlamenti po diskuton këtë të enjte në seancë plenare diskutime për sistemin arsimor parauniversitar, ku deputeti socialist, Ben Blushi pati një sërë kritikash për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Blushi u ndal tek vendimi që i kalon shkollat profesionale në varësi të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, duke e kritikuar atë si të pavend.

“Kjo është njësoj sikur Ministria e Mbrojtjes t’i kalojë ushtrinë Ministrisë së Kulturës”, tha ai.

Deputeti i mazhorancës kritikoi MAS edhe për reduktimin e alterteksteve në tre të tillë.

“Nuk jam i bindur nëse alterteksti ishte i suksesshëm, por tekstet alternative ishin të pakufizuar, sot kufizohen në tre, që do të thotë se jemi sërish tek alterteksti. Pse duhet të jenë 3? Pse të mos jenë katër apo pesë? Dhe kush i zgjedh këta tre?”, u shpreh Blushi.

Deputeti socialist tha se Shqipëria ka arsimin më të keq në rajon dhe e financon më pak këtë sektor. Ai kërkoi që të bëhet me detyrim edhe gjimnazi.

“Kemi shkollën më të keqe në rajon. Sot nga 10 fëmijë, 6 mbarojnë gjimnazin. Ku shkojnë këta katër? Duhet të bëjmë arsimin tonë të detyrueshëm deri në gjimnaz. Sot arsimi profesional po dështon”, tha Blushi.

Top Channel