Kuvendi i Kosovës miraton disa projektligje për liberalizimin e vizave

28/05/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e së enjtes duke bërë thirrje për gjykim dhe drejtësi deri në fund për rastin “Drenica”, ku trupi gjykues dënoi një ditë më parë me 65 vjet burg në total, 11 ish-eprorë të lartë të UÇK-së.

“Ajo që u bë dje, pas një procesi të gjatë dhe të politizuar, ka shkaktuar shqetësime të jashtëzakonshme për qytetarët, jo vetëm të atyre që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këto vendime të djeshme kanë shkaktuar po ashtu shqetësime edhe në proceset e tjera. Ato që kemi dëgjuar dje, si nga mbrojtja edhe nga ata që janë marrë me këto procese, shkaktojnë me të vërtetë shqetësime të mëtejshme dhe janë në prag të proceseve të rëndësishme. Mendoj se është momenti të bëjmë thirrje nga këtu për gjakftohtësi. Kërkojmë nga të gjithë ata, që janë në mbrojtje të tyre, në mbrojtje zyrtare, të merren edhe më shumë për mbrojtjen e tyre në shkallën tjetër, dhe t’i ftojmë të gjitha organet e drejtësisë, sidomos ato që u morën deri më tash me të, që të jenë sa më larg politikës, që pjesëtarët e UÇK-së të gjykohen në mënyrë të drejtë, pa ndërhyrje politike”, tha Zenun Pajaziti, deputet i PDK-së.

Gjatë punimeve të seancës, deputetët miratuan disa projektligje në lexim të dytë, që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Projektligji për përgjimet elektronike nxiti debat mes deputetëve, të cilët ndanë mendimet e tyre rreth motiveve, pse duhet të përgjohet dikush, por që në fund u miratua me shumicë votash.

“Është e dukshme që këtij ligji i mungojnë tri gjëra. Së pari, mungon ndëshkimi për operatorët në rast se shkelin ligjin. Së dyti, mungon zyra e ankesave, nëse i shkelet e drejta qytetarit të Kosovës. Në rast se janë shkelur të drejtat, nuk ka mundësi të penalizohet operatori dhe, çfarë është më kryesorja, përgjimet nuk i mbikëqyr asnjë organ kompetent. Kjo do të thotë se nuk ka adresë mbikëqyrëse”, tha Daut Haradinaj, deputet i AAK-së.

Edhe projektligji për kryeprokurorin e Shtetit ngjalli debat, pasi neni 19 i tij përcakton se, kryeprokurori i Shtetit nuk mund të marrë çështje, të cilat i ka caktuar një prokuror i EULEX-it. Këtë nen e kundërshtuan shumica e deputetëve të opozitës, por rekomandimet e tyre nuk u miratuan.

Deputetët miratuan edhe projektligjin për Avokatin e Popullit, projektligjin kundër Diskriminimit, atë për Barazi Gjinore, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatat, projektligjin për Këshillin Gjyqësor, projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe projektligjin për Prokurorinë e Shtetit.

Top Channel