ISIS ekzekuton 20 burra në amfiteatrin romak të Palmiras

28/05/2015 00:00

Dikur në arenë zbrisnin gladiatorët, që shpesh ndesheshin deri në vdekje për të argëtuar publikun në shkallët e amfiteatrit.

Sot, dy mijë vjet më vonë, ISIS ka zgjedhur arenën e amfiteatrit antik të Palmiras, jo për të argëtuar, por për të tmerruar banorët e qytetit sirian.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, deklaroi se të paktën 20 burra janë ekzekutuar prej ekstremistëve në arenën antike të qytetit të Palmiras.

Ekzekutimet kanë ndodhur në prani të qindra të pranishmëve, që janë detyruar që të shohin gjithë skenën makabre prej xhihadistëve. 20 burrat akuzoheshin se kishin luftuar ISIS-in për llogari të Bashar al-Assad.

Lajmi nuk mund të konfirmohet nga burime të pavarura, por s’është çudi që të jetë e vërtetë, pasi ISIS është i famshëm tashmë për krimet mizore të kryera ndaj kundërshtarëve në zonat e kontrolluara prej tij në Siri dhe Irak.

Palmira ra në duart e ekstremistëve disa ditë më parë, pas një rezistencë disamujore. Vetë organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore lëshuan alarmin për zonën antike të qytetit, pjesë e inventarit të UNESCO-s , që rrezikon të zhduket, ashtu si vepra të tjera me vlerë të madhe historike, por që për xhihadistët janë idhuj të rremë.

Top Channel