Prishtinë, nis “java e luleshtrydhes”

28/05/2015 00:00

Të enjten, në Kosovë ka filluar java e luleshtrydhes, një ngjarje që mbledh kultivues të shumtë të këtij fruti, në të dy anët e sheshit “Nëna Tereza”, në Prishtinë.

Kultivuesit, të cilët po promovojnë luleshtrydhet, u vizituan nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, dhe drejtori i misionit të USAID në Kosovë, James Hope, si dy mbështetës të këtij sektori.

USAID dhe Ministria e Bujqësisë, tashmë e kanë kthyer në traditë shënimin e “Javës së luleshtrydhes”, duke organizuar këtë aktivitet për të 4-tin vit me radhë.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, gjatë kësaj vizite foli për bashkëpunimin e mirë me USAID-in dhe tha se kultivuesit e luleshtrydhes kanë arritur të shtojnë vitet e fundit sipërfaqet e mbjellura, duke ndikuar dukshëm në rritjen e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Ai bëri të ditur se, Ministria e Bujqësisë, për herë të parë ka filluar edhe me subvencionimin e pemishteve ekzistuese, duke i ndihmuar fermerët me nga 400 euro për hektar.

Ndërsa drejtori i misionit të USAID në Kosovë, James Hope tha se bujqësia është njëri nga sektorët më të rëndësishëm në Kosovë, që zhvillon ekonominë e vendit, dhe se USAID e ka mbështetur për vite me radhë këtë sektor.

Kultivuesit e luleshtrydhes u shprehën të kënaqur me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa në shesh do të qëndrojnë deri më 31 maj, ku do të shesin luleshtrydhe me çmime shumë më të ulëta.

Top Channel