Vendimi për “Drenicën”, PDK: Shqetësues dhe i dëmshëm për Kosovën

28/05/2015 00:00

Në një komunikatë të shpërndarë për media, Partia Demokratike e Kosovës i konsideron si të papritura për opinionin kosovar aktvendimet e shpallura të mërkurën ndaj “grupit të Drenicës”; shqetësuese dhe të dëmshme për Kosovën.

Deklarata e PDK-së shpreh besimin e plotë se, lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, dhe se kjo bindje është vërtetuar në proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë dhe Kosovë.

“Kemi qenë gjithmonë të bindur, se gjyqet do të udhëhiqen nga faktet dhe dëshmitë e vërtetuara dhe nuk do të ndikohen nga dëshmitë e fabrikuara me motive armiqësore, personale apo politike, ndaj UÇK-së apo të dyshuarve”, thuhet më tej në komunikatë.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, drejtësia duhet të udhëhiqet nga faktet dhe dëshmitë e besueshme. Këtë presim edhe në trajtimin deri në fund të procesit ndaj ‘grupit të Drenicës’, por edhe në çfarëdo proces tjetër, në çfarëdo gjykatë, në të ardhmen”, përfundon deklarata për shtyp e Partisë Demokratike të Kosovës.

Top Channel