Organizatat e dala nga UÇK do të zhvillojnë protestë

28/05/2015 00:00

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë, të premten në orën 10, një protestë kundër miratimit të krijimit të Gjykatës Speciale. Protesta do të zhvillohet para Teatrit Kombëtar, në Prishtinë.

Në një komunikatë të OVLUÇK-së thuhet se, me aktet e fundit po degradohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nisur nga fakti se krimet dhe gjenocidi, që ka shkaktuar Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës, asnjëherë nuk janë ndjekur e gjykuar nga gjykatat vendore e ndërkombëtare; duke pasur parasysh se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it, vazhdimisht bëri akuza të njëpasnjëshme politike ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; për shkak se edhe në vendimin, që u shqiptua dje kundër komandantëve dhe bashkëluftëtarëve tanë, të cilët bënë luftë kundër pushtuesit e për t’i sjellë popullit lirinë; shihet qartë tendenca për degradimin e luftës sonë çlirimtare. Me këtë rast, ftojmë qytetarët pa dallim, që t’i bashkëngjiten masivisht kësaj proteste, sepse nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e vlerave të luftës së UÇK-së, vlerë e cila ka përmasa kombëtare”, thuhet në komunikatën e tyre.

Top Channel