Të famshëm, të pasur dhe të shfrenuar

28/05/2015 00:00

Të famshëm, të pasur dhe të shfrenuar… Shumë personazhë publikë kanë pasur probleme me veset. Profesioni i vë në qendër të vëmendjes dhe, më pas, ata krijojnë varësi nga alkooli, droga, apo gjinia e kundërt.

Kështu, mund të përmendim futbollistët, këngëtarët e muzikës “Rock”, si dhe aktorët. Në një moment, jeta e tyre është trazuar deri në pikën, që kanë pasur nevojë për trajtim.

Diego Armando Maradona, në Napoli u bë gati një “Zot”. Edhe pse ylli argjentinas shkëlqeu me kombëtaren argjentinase apo ekipin italian, jetën personale e kishte shumë të rrëmujshme. Droga, për pak sa nuk i mori jetën, pa përmendur historitë rozë me femra të rastësishme. “Dora e Zotit” këtë herë nuk bëri gol, por mundi ta shpëtonte njëherë e mirë.

Jim Morrison ishte idhulli i miliona njerëzve në mbarë botën. Kishte arritur gjithçka: parà, famë dhe shumë popullaritet. Vokalisti u nda nga jeta më 3 korrik 1971, në moshën 27-vjeçare, pas një mbidoze në apartamentin e tij, në Paris.

Gati të gjithë aktorët e Hollivudit janë përmendur gjithashtu për probleme me lëndët narkotike. Lista është e gjatë, por ajo që dihet me siguri është se, të gjithë janë fotografuar në qendrat e rehabilitimit, në trajtime që varionin nga disa muaj, deri me vite. Disa ia kanë dalë, të tjerë ende e kanë larg dritën në fund të tunelit.

Më e famshmja e momentit është Paris Hilton. 34-vjeçarja nuk ka lënë gjë pa provuar: Heroinë, shumë meshkuj, e deri te fotot ekstravagante, teksa puthej me fermra të tjera. Miliarderja amerikane e ka të pamundur të mos bjerë në sy, kudo që shkon. Mjafton që Paris të jetë përpara kamerës dhe, ditën tjetër, padiskutim që për tabloidët dhe televizionet do të përbëjë lajm.

Një tjetër shembull pozitiv, që ia ka dalë të shpëtojë nga veset, është ish-futbollisti i Juventusit, Nicola Legrottaglie. “Jam Nicola, kam kaluar shumë netë në diskotekë. Nëse qëndroja 10 ditë pa femra dhe alkool, më dukej sikur çmendesha”. Ky është prezantimi, që bën ish-futbollisti për mediet italiane.

Këtë të enjte, 39-vjeçari ka ardhur në Shqipëri, te shkolla “At Zef Pllumi”, për t’i treguar të rinjve se, falë sportit dhe besimit mund të dalësh nga vesi. Nostalgjik për kohën kur luante, rimerr topin dhe vihet në rolin e golashënuesit.

Nuk mund të mungonte ndarja e eksperiencës personale me fëmijët. Të gjithë e dëgjojnë me endje, jo vetëm për faktin që ai ka luajtur me ekipe të mëdha, por sepse Nicola ndan me ta gjithë ulje-ngritjet e jetës së tij.

Vullnet, njerëz pranë dhe shumë dashuri. Kjo është këshilla e ish-yllit të Juventusit, për t’i shpëtuar veseve.

Top Channel